Kryetari i shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Qerkini, e ka marrë fjalën i pari në protestën e veteranëve. Ai në fjalimin e tij emocional, pati  akuza të rënda për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të cilin e quajti gënjeshtar.

Qerkini tha se veteranët po trajtohen mizorisht nga kjo Qeveri, për të cilën tha se duhet “të shkoj në shtëpi”.

“O ju që po na udhëhiqni, o ju që ua dhatë votat 50%, ku jeni, çka ju vyn me ju thanë. Ju nuk e dini çka është liria, ju dini vec me na rrejtë, me na shëmtu edhe ma zi ata që na kan sëhmtu, ata të tmerrit të 98-99. Tmerr po jetojna. E kemi gzu një liri që po e dëmtojmë. Këta që po thonë veteranët nuk kanë të drejtë me pas një pagë normale, s’kanë drejt me jetu, fëmijët me i shkollu”, tha ai.

Qerkini tutje tha se kryeministri Kurti nuk mund t’i gënjej “ata që i ka gënjyer para dy vjet e gjysme”.

“U kisha lut shqiptarë me karrika të buta duke ladru në Evropë e Botë, kthehuni popullit, ai që nuk e rahaton popullin mos u rahatoft në jastëkun ku flen. Ti tregojmë politikës që nuk e ki mirë, kthenu popullit, e leni prrallat. Nuk mund t’i rrejt ata që i ke rrejt para 2 vjet e gjysmë, o kryeministër, edhe ata janë mbush mend kush është Albin Kurti. Rrini të fortë, rrini qashtu qysh jeni, folni qashtu qysh keni me punu. Kjo është e vogël çka duhet me ba nëse nuk na dëgjojnë”, tha ai.

Qerkini tha se kjo protestë nuk duhet të jetë e fundit por fillim i protestave tjera masive.