Seanca e fundit e afatit 30-ditor: Ambasadorët “zbarkojnë” në Kuvend, Kushtetuesja iu vendos masë të përkohshme deputetëve
Kosova po përballet me një krizë institucionale, ndërsa afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit po shkon drejt fundit. Sot është seanca e fundit e afatit 30 ditor të paraparë nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.. Vetëm një ditë para përfundimit të këtij afati, ndërkombëtarët, përfshirë ambasadorin gjerman Jorn Rohde dhe kolegët e tij, do […]
Kosova po përballet me një krizë institucionale, ndërsa afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit po shkon drejt fundit. Sot është seanca e fundit e afatit 30 ditor të paraparë nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit..
Vetëm një ditë para përfundimit të këtij afati, ndërkombëtarët, përfshirë ambasadorin gjerman Jorn Rohde dhe kolegët e tij, do të jenë të pranishëm në seancën e Kuvendit për të përcjellë nga afër zhvillimet.
Ambasadori Rohde u shpreh qartë për rrezikun që paraqet vonesa në formimin e institucioneve, duke theksuar se qindra miliona euro nga BE-ja, Banka Botërore dhe institucionet tjera financiare janë në rrezik për shkak të mungesës së një Kuvendi dhe Qeverie funksionale.
“Me praninë tonë duam të theksojmë urgjencën për t’i dhënë fund bllokadës politike… Kam dhënë intervista, sikurse edhe kolegët e mi, dhe është urgjente që Kosova t’i japë fund bllokadës politike. Sikur themi në Gjermani, ju mund t’i tregoni dikujt se ku është çezma e ujit, por për të pirë duhet ta bëni vetë. Si vëzhgues i jashtëm vetëm mund të jap këshilla dhe bëj kërkesa, por puna duhet të kryhet nga politikanët. Populli i Kosovës ka folur më 9 Shkurt, por politikanët nuk kanë dëgjuar votën e tyre dhe kjo është e dhimbshme”, ka thënë Rohde.
Në këtë kontekst, Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim për masë të përkohshme ex officio, përmes së cilës ndalon çdo veprim apo vendim të deputetëve të zgjedhur pas datës 26 korrik, nëse Kuvendi nuk konstituohet sot.
“Gjykata konsideron që nëse nuk vendoset masa e përkohshme ex officio ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas datës 26 korrik 2025, çdo vendim dhe veprim i ndërmarrë pas kësaj date deri në vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me kërkesat mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyçe në Republikën e Kosovës në kuptim të neneve 2 [Sovraniteti], 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] dhe 7 [Vlerat] të Kushtetutës.
Në kuptim të përcaktimeve të nenit 27 të Ligjit, Gjykata vlerëson se ekzistojnë rrethana të interesit publik e që përfshijnë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërorë pas zgjedhjeve për Kuvend. Prandaj, ndalimi i çdo vendimi dhe veprimi nga ana e deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas 26 korrikut 2025 është në interes publik, i domosdoshëm për ruajtjen e rendit kushtetues dhe interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Rrjedhimisht, Gjykata, pa asnjë paragjykim ndaj pranueshmërisë ose meritave të kërkesave KO193/25 dhe KO196/25 konstaton se duhet të vendoset masa e përkohshme ex officio në përputhje me arsyetimin e këtij Vendimi”, thuhet në vendim.















