Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka anuluar një vizitë të planifikuar në Izrael, ka raportuar televizioni izraelit Channel 12, ka shkruar Al Jazeera.
Më herët, mediat izraelite kishin raportuar se vizita e Hegseth-it të mërkurën, e para në Izrael që prej marrjes së detyrës, kishte për qëllim të qetësonte shqetësimet e Izraelit lidhur me mundësinë e shitjes së avionëve luftarakë F-35 për Turqinë.
Në fillim të kësaj jave, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kishte paralajmëruar se furnizimi i Ankarasë me këto avionë të avancuar luftarakë do të “shkatërronte balancën e fuqisë në Lindjen e Mesme”, duke dobësuar epërsinë ushtarake të Izraelit.
Netanyahu kishte theksuar se presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan ka kërcënuar vazhdimisht Izraelin, duke e cilësuar Turqinë si “jo një shtet mik”.
Në përgjigje, Ministria e Jashtme e Turqisë i ka cilësuar deklaratat e Netanyahut si një “fushatë dezinformimi” të krijuar për të penguar kërkesat e Turqisë për mbrojtje dhe për të larguar vëmendjen nga konfliktet që po zhvillohen në rajon.