Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s do të takohen nga 27 deri më 29 nëntor në Bruksel dhe në qendër të takimit do të jetë agresioni rus në Ukrainë dhe situata në Ballkanin Perëndimor.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se sekretari Antony J. Blinken do të marrë pjesë në takim, përfshirë takimin e parë të ministrave të Jashtëm të Këshillit NATO-Ukrainë.

“Sekretari Blinken do të theksojë angazhimin e palëkundur të NATO-s ndaj Ukrainës në luftën e saj kundër agresionit rus, do të theksojë mbështetjen tonë për demokracinë dhe qëndrueshmërinë rajonale në Ballkanin Perëndimor dhe do të diskutojë përparësitë e takimit të Uashingtonit në korrik të vitit 2024”, thuhet në një njoftim të Departamentit të Shtetit.

NATO-ja vazhdon të mbështes Ukrainën e cila shpreson që një ditë të anëtarësohet në aleancën ushtarake perëndimore, zgjerimi i së cilës kundërshtohet nga Moska, e cila nuk i sheh me sy të mirë as aspiratat e vendeve të Ballkanit për integrimet euroatlantike.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili gjatë javës vizitoi disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor, tha se aleanca po shqyrton një shtim të përhershëm të pranisë së saj ushtarake në rajon, për të mbajtur tensionet nën kontroll, raporton Zëri i Amerikës.