Urimet për 17 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës kanë vazhduar edhe këtë të mërkurë, ku presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga sekretarja e përgjithshme e Frankofonisë, Luise Mushikiwabo.

Siç thuhet nga zyra presidenciale, Mushikiwabo ka vlerësuar kontributin e Kosovës në komunitetin frankofon që nga anëtarësimi i saj në OIF në vitin 2014, duke theksuar se ky anëtarësim pasuron diversitetin kulturor dhe gjuhësor të organizatës.

“Ajo ka rikonfirmuar angazhimin e saj për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet OIF dhe institucioneve të Kosovës, pas Samitit të 19-të të Frankofonisë në Villers-Cotterêts. Sekretarja e Përgjithshme ka nënvizuar se vendimet e marra gjatë këtij samiti, me fokus te rinia, kreativiteti, inovacioni dhe ndërmarrësia, ofrojnë mundësi për thellimin e bashkëpunimit dhe përmirësimin e mirëqenies së popullatës frankofone”, thuhet në urimin e saj.

Sipas zyrës së presidencës, Mushikiwabo ka ritheksuar mbështetjen e OIF për përpjekjet e Kosovës në promovimin e gjuhës frënge, duke inkurajuar më tej kontributin specifik të vendit në kuadër të bashkëpunimit frankofon.