“Sekreti” për rezervat shtetërore, që e bëri me aktakuzë ministren Rozeta Hajdari

Në 106 faqe janë përmbledhur të gjitha veprimet e kundërligjshme të ministres në detyrë Rozeta Hajdari, e zyrtarëve të tjerë të MINTI-t, në rastin e rezervave shtetërore. Dukagjini ka siguruar aktakuzën, ku janë paraqitur edhe dëshmitë e zyrtarëve të tjerë të ministrisë të cilit kishin paralajmëruar se veprimet e ministres janë të kundërligjshme, e drekat që kabineti qeveritar i Kurtit i hëngri në restorantin e Ridvan Muharremit

As ky vendim i Qeverisë për sekret shtetëror nuk e mbrojti Rozeta Hajdarin.

Ndonëse nuk dëshmoi në prokurori duke u thirrur pikërisht në këtë vendim, që kontrata për furnizim me produkte të rezervës shtetërore të mallra është sekrete, pikërisht për këtë asaj iu ngrit aktakuzë për ‘zbulim të sekretit shtetëror’.

Ministrja në detyrë, Rozeta Hajdari, ish-zëvendëssekretari Irfan Lipovica, drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore në këtë Ministri, Hafiz Gara akuzohen edhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ndërkohë që afaristit Ridvan Muharremi, për ndihmë në kryerjen e veprës penale.

Dukagjini e ka siguruar aktakuzën 106 faqeshe, ku sqarohen hap pas hapi veprimet e të pandehurve gjatë vitit 2022 që i shkaktuan dëm buxhetit të shtetit në vlerë të afër 3 milionë eurove.

Në mesin e 15 dëshmive, janë edhe ato të zyrtarëve të Ministrisë së Tregtisë të cilët kishin paralajmëruar se blerja e rezervave me procedurë të negociuar nuk kishte bazë ligjore, por pavarësisht kësaj ishte nënshkruar kontrata me kompaninë turke.

Madje, pas vendimit të qeverisë, disa prej punonjësve të ministrisë, iu ishte kërkuar plotësimi i një formulari për verifikim nga AKI-ja.

“Në vazhdim, të deklaratës ka theksuar se pas këtij komunikimi, gjegjësisht deri me datë 26.07.2022, ishte tërësisht jashtë rrjedhave të këtij procesi, duke mos marrë pjesë në këtë proces në asnjë cilësi, mirëpo me datë 26.07.2022 nga zyra e zv. sekretarit të përgjithshëm, Arbër Gegaj, i ishte dërguar një formular për verifikim nga ana e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), me kërkesën që ky formular të plotësohet dhe nënshkruhet në afat prej 15 ditëve. Tutje, i njëjti ka sqaruar se përveç tij, ky formular i ishte dërguar edhe pjesës tjetër të zyrtarëve të DRShM, mirëpo i njëjti ka sqaruar se ai personalisht këtë deklaratë nuk e ka nënshkruar, pasi që kjo procedurë sipas ligjit nuk ka qenë konfidenciale apo sekrete. Në raport me këtë, i njëjti ka theksuar se me datë 26.07.2022, në ora 12:10pm. i kishte adresuar një shkresë ministres Rozeta Hajdari, duke i bërë thirrje dhe duke e njoftuar se ata si zyrtarë të ministrisë, nuk kanë nevojë të nënshkruajnë formularin e dërguar nga AKI, pasi që sipas ligjit kjo procedurë ishte e hapur dhe publike, andaj ishte e panevojshme që t’i nënshtroheshin atij procesi”.

Dëshmitari Ermal Kutllovci, që ishte pjesë e departamentit të rezervave shtetërore në MINT, fillimisht i ishte dhënë masë ndëshkuese vërejtje me shkrim e pastaj ishte larguar krejt nga puna pas përballjes me ministren Hajdari.

“Me tej, i njëjti thekson se me datë 26.12.2023, kishte parashtruar ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrë të Shërbimit Civil të Kosovës (KPMShCK) kundër  vërejtjes me shkrim, e cila vërejtje sipas dëshmitarit ishte shqiptuar padrejtësisht dhe kundërligjshëm. Lidhur me këtë, me datë 19.01.2024, KPMShC kishte nxjerrë Vendimin A.nr.1568/2023, me të cilin kishte anuluar Vërejtjen me shkrim të shqiptuar nga drejtori i DRShM-së, me datë 18.12.2023. Në vazhdim, i njëjti deklaron se tendenca e tyre nuk përfundon këtu, pasi që me datë 29.12.2023 zv. sekretari i përgjithshëm, Daut Latifaj kishte iniciuar procedurë disiplinorë ndaj tij dhe kërkesën në fjalë, Daut Latifaj ia kishte dërguar Komisionit Disiplinor, ku CC  në këto komunikime, figuronte edhe Rozeta Hajdari, ku një gjë e tillë më parë nuk kishte ndodhur, që për inicimin e ndonjë procedure ndaj ndonjë shërbyesi civil, të njoftohet edhe ministri. Tutje, i njëjti ka theksuar se lidhur me kërkesën për inicimin e procedurë disiplinorë ndaj tij, Komisioni Disiplinor kishte zhvilluar procedurë, pas së cilës kishte nxjerrë Vendimin me nr.prot.454/02, të datës 29.01.2024, përmes të cilit ndaj tij ishte shqiptuar masa “Largimi nga shërbimi civil”.

Aty sqarohet se Hajdari së bashku me Lipovicen e Garën, kishin bërë pjesë të procesit të negocimit afaristin Ridvan Muharremi, e në restorantin e të cilit, drekat zyrtare të kabinetit qeveritar të udhëhequr nga Albin Kurti ishin të shpeshta.

E një kapitull i veçantë i është dedikuar edhe kryeministrit të detyrë Albin Kurtit, i cili përkundër disa ftesave nga prokuroria speciale e urdhrave të Gjykatës nuk shkoi të dëshmojë.

Megjithëse prokurorët kërkuan që të lëshohet urdhër për sjellje me detyrim ndaj Kurtit, Gjykata në Prishtinë nuk e miratoi asnjëherë këtë vendim dhe vendosi të dërgoi urdhër tek Kurti e jo tek Policia siç parasheh Kodi i Procedurës Penale.

“Përveç thirrjeve të dërguara, prokurorët duke vlerësuar refuzimin e dëshmitarit Albin Kurti për t’u paraqitur në prokurori për të dhënë dëshminë, gjë që përbën detyrim ligjor, kishte kërkuar nga gjykata lëshimin e urdhrave për ta detyruar dëshmitarin që të paraqitet në prokurori. Mirëpo, edhe përkundër lëshimit të dy urdhrave si dhe shqiptimit të një gjobe, dëshmitari nuk ishte paraqitur në prokurori. Prandaj, prokurorët vlerësojnë se dëshmia e dëshmitarit është relevante për sqarimin e disa rrethanave për çështjen penale, andaj edhe kanë propozuar që të dëgjohet si dëshmitar në shqyrtim gjyqësor.”

Pas dërgimit të aktakuzës në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Hajdari dhe të tjerët duhet të paraqiten në seancën fillestare, për tu deklaruar rreth fajësisë.

Shija e redaktorit

Rama e Çeku përballen më 6 nëntor për Prishtinën në...

Të enjten, studio e “Debat Plus” në TV Dukagjin do të jetë nikoqire e debatit vendimtar për garën për Prishtinën në raundin e dytë...

Njohja nga Siria, ambasadori gjerman përgëzon Osmanin

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka reaguar pas njohjes së paravarësisë së Kosovës nga Siria. Rudolph ka përgëzuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani...

Kurti pritet nga Macron në Pallatin Presidencial në Paris

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pritur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në pallatin presidencial Elysee, ku mori pjesë në darkën...

Të fundit nga rubrika