Policia e Kosovës ka realizuar operacionin policor të koduar “Muzgu”, gjatë të cilit janë kontrolluar një shtëpi dhe një lokal në rajonin e Mitrovicës.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar rreth 110.6 gramë substancë e dyshuar kokainë, një revole M57, një pushkë gjuetie, 15 fishekë të kalibrave të ndryshëm, një peshore digjitale, para të gatshme, dy radiolidhje dhe një shufër metalike me mbishkrimin “POLIC”.
Personi i dyshuar nuk është gjetur në lokacion gjatë kontrollit, por më vonë është paraqitur në polici në prani të avokatit.
Rasti është iniciuar për veprat penale që lidhen me posedimin dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve dhe posedimin e kundërligjshëm të armëve.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.