Dy persona janë vënë në pranga në magjistralen Kaçanik–Hani i Elezit, pasi gjatë një kontrolli policor u kapën me rreth 17 kilogramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, vlera e së cilës dyshohet të arrijë në rreth 60 mijë euro.

Sipas autoriteteve, njëri nga të arrestuarit është shtetas i Shqipërisë, ndërsa tjetri shtetas i Maqedonisë së Veriut.

Gjatë operacionit, policia ka sekuestruar edhe dy telefona mobilë, dy automjete, para të gatshme si dhe një fletore që dyshohet se mund të shërbejë si provë në rast.

Rasti ka ndodhur pasditen e së premtes.

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj  njëri shtetas i Shqipërisë e tjetri shtetas i Maqedonisë së Veriut pasi që gjatë kontrollit u janë gjetur dhe sekuestruar: substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë totale rreth 17kg e 834.6gramë në vlerë rreth 60 mijë euro, një fletore, dy telefona, dy vetura, para të gatshme në vlerë rreth 1545 euro, 6500 lekë, 5360 denarë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

 Me vendim të prokurorit pas intervistimit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.