Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Policinë e Kosovës, ka zhvilluar një aksion në Vushtrri në kuadër të hetimeve për dyshime mbi falsifikimin e dokumenteve gjatë importimit dhe zhdoganimit të automjeteve nga Koreja e Jugut.
Sipas Prokurorisë, gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarve janë ndërmarrë veprime hetimore për sigurimin e provave materiale që lidhen me procedurën penale.
Hetimet lidhen me dyshimin se të pandehurit, në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, kanë falsifikuar dhe përdorur dokumente publike të falsifikuara gjatë importimit dhe zhdoganimit të automjeteve.
Dyshohet se më 6 korrik 2026 janë përdorur libreza koreane të falsifikuara, ku është manipuluar data e regjistrimit të parë të automjeteve. Sipas hetimeve, viti i regjistrimit është ndryshuar nga 2015 në 2016, me qëllim që automjetet të paraqiteshin si më të reja se dhjetë vjet dhe të plotësonin kushtet ligjore për import në Kosovë.
Prokuroria bën të ditur se dokumentet e falsifikuara janë përdorur për zhdoganimin e pesë automjeteve, për të cilat në Deklaratat Unike Doganore (DUD) është shënuar në mënyrë të pasaktë se regjistrimi i parë ishte bërë në vitin 2016, ndonëse provat e deritanishme tregojnë se automjetet ishin regjistruar për herë të parë në vitin 2015.
Pesë automjetet e përfshira në këtë rast janë sekuestruar.
Të dyshuarit po hetohen për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, ndërsa Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur se, në koordinim me Doganën dhe Policinë e Kosovës, do të vazhdojë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe sigurimin e provave.