Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq, ka falënderuar presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Carlos Faria për qëndrimin e prerë dhe “parimor” të Venezuelës në lidhje me integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë dhe mosnjohjen e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran.

Përgjatë takimit të tyre në Karakas, Selakoviq ka përcjellë përshëndetjet e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe njëherësh ka përkujtuar se mbështetja në mes dy vendeve nuk është e re, por se buron nga bashkëpunimi në Lëvizjen e Vendeve të Paangazhuara.

Njëherësh, Selakoviç për marrëveshjet e nënshkruara ka thënë se shpreson që të jenë të rëndësishme për përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet të dyja vendeve, si dhe bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

“Mosndërhyrja në punët e brendshme të shteteve, ruajtja e sovranitetit dhe integritetit territorial, e drejta për një politikë sovrane dhe respektimi i së drejtës ndërkombëtare, jo të drejtat e më të fortëve, mbeten parimet bazë të politikës sonë shtetërore”, tha ministri Punët e Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq, pas një bisede me shefin e diplomacisë së Venezuelës, Carlos Faria.

Në konferencën për shtyp në Karakas, Selakoviq u shpreh i kënaqur që pas 12 vjetësh ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë po viziton Venezuelën, transmeton “Danas“.

Siç njofton MPJ e Serbisë, ai ka kujtuar se kjo vizitë ka ndodhur në vitin në të cilin dy vendet po festojnë 140 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

“Gjatë historisë së gjatë të marrëdhënieve tona diplomatike, pavarësisht presioneve në periudha të ndryshme historike, ne kemi arritur të ruajmë një shkallë të lartë të respektit dhe vlerësimit të ndërsjellë për çështjet e interesave kryesore kombëtare”, tha Selakoviq, duke kujtuar se një respekt i tillë i ndërsjellë daton që nga Lëvizja e të Paangazhuarve.

Shefi i diplomacisë serbe theksoi se Serbia është veçanërisht mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme të Venezuelës për qëndrimet e Serbisë karshi çështjes së Kosovës, të cilën ajo e konsideron si një çështje e rëndësisë së parë kombëtare.

Serbia në vazhdimësi lobon te vendet, të cilat nuk e njohin Kosovën e pavarur, siç është Venezuela.

Gjithashtu, edhe te vendet të cilat kanë pësuar ndryshime të brendshme politike ashtu që, të ndikojë në tërheqjen e njohjeve për Kosovën.