Avokati Meshari Selimaj, i ftuar në emisionin “Five”, ka reaguar ashpër ndaj arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, nga autoritetet serbe. Ai ka theksuar se pavarësisht nëse ka qenë apo jo pjesëtar i institucioneve të sigurisë në kohën e ndonjë rasti të caktuar, Spahiu mbetet qytetar i Republikës së Kosovës dhe institucionet duhet të reagojnë në mënyrë të koordinuar për lirimin e tij.

“Përveç se ka qenë pjesëtar i Policisë, mbi të gjitha ai është qytetar i Republikës së Kosovës. Institucionet duhet të merren në mënyrë aktive që ai të lirohet, pasi ekzistojnë të gjitha arsyet që tregojnë se ai fare nuk ka qenë polic në kohën kur ka ndodhur rasti për të cilin është ndaluar,” deklaroi Selimaj.

Sipas tij, rasti përfaqëson një zbrazëti serioze në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, dhe shfaq qartë mungesën e njohjes së shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Ai kërkoi ndërhyrje të menjëhershme institucionale përmes zyrës ndërlidhëse në Beograd dhe përfshirjen e aktorëve ndërkombëtarë.

Në deklaratën e tij, avokati Selimaj ngriti edhe një pikëpyetje serioze për qytetarët që vazhdojnë të udhëtojnë përmes Serbisë, përkundër rreziqeve që janë dëshmuar tashmë me raste të ngjashme: “Nuk po mundem ta kuptoj ende se si qytetarët e Kosovës kanë ende besim të kalojnë nëpër Serbi, kur veprimet e tilla shantazhuese po përsëriten vazhdimisht.”

Ai e konsideron këtë veprim si një formë të hakmarrjes politike të Serbisë ndaj Kosovës, për shkak të ndjekjeve të kriminelëve të luftës që Kosova ka iniciuar kundër Serbisë, si dhe pasojave të ngjarjes së rëndë në Banjskë, ku u sulmuan institucionet e Republikës së Kosovës.