Sylejman Selimi tha se kur ka thënë në deklaratat e mëhershme se Kadri Veseli në qershor të 1998-ës ka qenë udhëheqës i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), iu është referuar asaj që i ka thënë Sabit Geci, ndërkohë ky i fundit pretendonte që ishte pjesë e kësaj strukture.

Këtë gjë, dëshmitari e tha duke u përgjigjur në pyetjet shtesë të prokurorit Matt Halling, duke shtuar se Kadri Veseli ishte pjesë e G2-shit më vonë në Shtabin e Përgjithshëm.

“Për rastin e caktum siç është shprehur z.Geci në këtë rast. Mirëpo, sa i përket z.Veseli për mendimin tim ka qenë gabim. Ka qenë në fakt në Shtabin e Përgjithshëm por si G2 apo si njësi inteligjence, nuk e kam ditë në këtë kohë se çfarë strukture ka pasur. Por, gjithmonë në qoftë se iu kam referu. Iu kam referu ma vonë ajo si z.Veseli ka qenë në Shtabin e Përgjithshëm si pjesëtar i G2-shit apo si diçka e tillë, por nuk e kam ditë se çka. Për këtë periudhë iu kom referu veç atë çka ka thënë z.Geci”, tha Sylejman Selimi.

Dëshmitari tha që si ka korrigjuar disa pjesë të deklaratës së tij me arsyetimin se vetëm ia ka lëshuar syrin për t’i pasur të qarta ato se cak do të flitet në sallën e gjyqit.

Ai pohoi se për qershorin e 98-ës iu është referuar asaj që i është thënë nga Sabit Geci prandaj e ka quajtur Kadri Veselin si udhëheqës të Shërbimit Informativ të Kosovës  (SHIK) nëpër deklaratat e tij.

“Iu kam referu ata që ka thanë z.Geci në këtë proces dhe nuk kam pas mundësi ta vërtetoj dhe nuk jam marrë me këtë çështje se jam marrë me çështjet e mija në këtë zonë. Sa i përket z. Kadri Veseli nuk e kam takuar asnjëherë dhe iu kam referuar gjithmonë ajo se çfarë ka thënë z.Geci”, tha ai.

Fillimisht në pyetjet shtesë, prokurori u fokusua tek urdhri i pretenduar për arrestimin e Thaçit, Veselit dhe Rexhep Selimin.

Dëshmitari kur iu ishte prezantuar urdhërarresti ai e kishte quajtur marrëzi dhe se ai dokument sipas tij nuk përmbante nënshkrim dhe as emër. Prokurori po ashtu tha se dëshmitari kishte thënë se si ka mundësi të lëshohet urdhërarrest për Rexhep Selimin të cilin e kishte djalë axhe.

“Sabit Geci nuk ka qenë pjesë e Zonës Operative të Drenicës”, tha dëshmitari.

Pas përfundimit të kundërpyetjeve nga ana e ekipit mbrojtës të Veselit, kunderpyetjet i filloi mbrojtja e Jakup Krasniqit pasi ajo e Selimit nuk pati pyetje.

Dëshmitari tha se nuk e ka ditur që Jakup Krasniqi ka qenë anëtarë i Shtabit të Përgjithshëm deri kur doli publikisht si zëdhënës në qershor të 1998-ës.

Vlen të theksohet se pas pushimit të drekës, seanca kaloi në sesion privat për t’u dhënë një urdhër gojor./Betimi për Drejtësi