Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka kritikuar sjelljen e kryeministrit Albin Kurti në takimin e zhvilluar në Bruksel, duke e quajtur atë një taktikë për konsum elektoral të brendshëm.

Ai ka theksuar se strategjia e Qeverisë për dialogun ka sjellë Kosovën në një pozitë të rëndë negociuese.

Sipas Selmanajt, Kurti nuk do t’u përmbahet kushteve që ka vendosur për takim me Vuçiqin, dhe ka shtuar se procesi negociator ka degraduar rëndë nën udhëheqjen e kryeministrit Kurti.

“Sjellja e kryeministrit Kurti ishte taktizim i qartë politik për konsum elektoral të brendshëm dhe kjo është fatkeqe për Kosovën…Pozita negociuese e Kosovës sot është ndoshta më e rëndë që nga fillimi i këtij procesi, prandaj sjellja e tij me ato kushte të cilat i kishte vendosur dhe do ta admiron nëse i respekton ato kushte, por gjithsesi ne e kemi parë që zoti Kurti shpeshherë ose në disa herë është rasti i pestë apo i gjashtë që ka vendos kusht dhe pas një jave dy jave i harron i shkrin ato kushte. Të gjitha kushtet kushtet që ky i ka paraqitë sot e 20 vjet që është në politikë, të gjitha ato i ka shkelë”, ka thënë ai për EO.

Selmanaj ka shprehur bindjen se përfundimi i mandatit të kësaj qeverie do të hapë rrugën për një dialog më të suksesshëm dhe njohje reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ndryshe, të mërkurën pas takimit që pati kryediplomati evropian, Josep Borrell, me Kurtin e pastaj me Vuçiqin ka thënë se nga Kurti është kërkuar që marrëveshja bazë të formalizohet me nënshkrim nga shefat përkatës të qeverive, të tërhiqet letra e 13 dhjetorit e ish-kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, si dhe të dorëzohet krimineli Milan Radoiçiq në Kosovë si kusht që të diskutojë me Vuçiqin tutje për normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.