Selmanaj sqaron fotografinë me të dyshuarin për planin e atentatit ndaj Kurtit

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka sqaruar fotografinë e tij me të dyshuarin, Prek Kodra për planin e atentatit ndaj kryeministrit Albin Kurti. Ai ka thënë se ai takim ka qenë rastësi dhe asnjëherë nuk e ka njohur më parë

Deputeti, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Driton Selmanaj





“Para pak orësh e kuptova që në mediet e Shqipërisë po qarkullon një fotografi ku unë ndodhem me një tavolinë me personin që ditëve të fundit është bërë lajm për planifikim atentatesh në Kosovë. Po e ndjej të nevojshme ta sqaroj në detaje gjithë ngjarjen se si kam qëlluar unë në atë tavolinë”.

Kështu ka deklaruar deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK), Driton Selmanaj  pas raportimit të mediumit shqiptar A2 për një plan për atentat ndaj Kryeministrit Kurti në vitin 2021.

Në lidhje me këtë rast, mediumi Shqip.com ka publikuar një fotografi të Selmanajt me të dyshuarin, Prek Kodrën.

Për këtë fotografi, deputeti Selmanaj ka deklaruar se ka qenë rastësi dhe se nuk u takua asnjëherë me të dyshuarin.

“Ka qenë fundi i vitit 2020, unë isha rrugës në relacionin Prishtinë – Prizren dhe më merr në telefon Beg Salihi (mik i familjes sonë / vllau i gruas së djalit të axhës tim), ku më thotë që nëse ke pak kohë eja ta pijmë nga një kafe se i kam ca miq nga Shkodra. Unë për respekt për mysafirët nga Shqipëria ndalem në një restoran në fshatin Korishë të Prizrenit”, ka vijuar Selmanaj.

Ai ka thënë se aty ka qenë dy mysafirë nga Shkodra, “miku i familjes sime dhe disa të afërm të mikut tim”.

“Në restoran kemi qëndruar përafërsisht mbi 1 orë dhe nga ajo ditë personin në fjalë nuk e kam takuar kurrë. Pra kjo ka qenë hera e parë dhe fundit që e kam takuar dhe as atëherë dhe as sot emrin nuk ja kam ditur. Kjo ka qenë e gjitha! Çdo shpjegim apo intepretim tjetër është GABIM dhe GËNJESHTËR”, ka vazhduar tutje Selmanaj.

Ai ka thënë se ky është rrisku që duhet të paguhet kur je person publik.

“Fatmirësisht apo fatkeqësisht ne si deputet apo persona publik, jo rrallë herë na bjen të takohemi me shumë njerëz dhe asnjëherë para apo gjatë takimit me ta, ne nuk ua kërkojmë biografitë apo CV- të e tyre. Me gjasë ky është rrisku që duhesh ta paguash kur je person publik”.

Ndryshe të hënën e 19 shtatorit, mediumi shqiptar A2news, ka raportuar se ka ekzistuar një plan për vrasjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti.

Sipas këtij mediumi, kjo është bërë e ditur nga një dokument i cili është bërë publik të hënën nga disa hakerë, të cilët dyshohet se këto dokumente i kanë marrë nga emaili i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në vitin 2021, Gledis Nano.

“Në vitin 2021, Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka zbuluar një plan për të vrarë kryeministrin Albin Kurti dhe dy persona të tjerë nga një shtetas nga Shqipëria. Të paktën, kështu rezulton në një dokument të bërë publik këtë të hënë, nga hakerët, i cili dyshohet se është marrë nga emaili i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në vitin 2021, Gledis Nano”, raporton A2news.

“Në dokument theksohet se Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka marrë informacione për atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Ismet Haxhës, ish-anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës dhe i afërm i Kadri Veselit, dhe ndaj Xhavit Halitit, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-deputet”, thuhet në raportimin e A2news.

I dyshuari, sipas A2 news, është Prek Kodra, i cili sipas raportimit të këtij mediumi, ka aftësi të mirë në përdorimin e snajperëve. Ai dyshohet se është përfshirë në disa vrasje të tjera në Kosovë e Mal të Zi.

Qeveria konfirmon kërcënimin me atentat ndaj kryeministrit Kurti

Shija e redaktorit

Vetëm në muajin shkurt mërgata ka dërguar 87.9 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, sipas kalendarit të publikimeve, ka prezantuar statistikat për institucionet e tjera financiare për muajin shkurt 2024, të remitancave...

Ndahen 8 milionë euro për 11 komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna. Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e...

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Të fundit nga rubrika