3 mijë e 644 ishte numri i rasteve me sëmundje malinje në vitin 2024.
12 muaj më vonë, në 2025-n, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës ky numër shënoi rritje për 3.6% duke regjistruar 3 mijë e 755 pacient.
Sipas këtij raporti, rritje kanë shënuar rastet e tumoreve në organet tretëse në gjithsej 685 sosh.
Por a u regjistrua rritje e rasteve të reja përgjatë nëntë muajve të këtij viti, tregon drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi.
“Për këto nëntë muaj meqenëse të dhënat jemi duke i përpunuar edhe për muajin gusht, del që kemi një trend të njëjtë të incidencës me dy vitet paraprake edhe në 2024 dhe 2025. Është një trend stabil dhe deri në fund të vitit mund të kemi ngritje të lehtë”, deklaroi Kurtishi.
Drejtori deklaroi se vazhdon të prijë kanceri i gjirit tek gratë, me gjithsej rreth 600 raste, kurse ai i mushkërive tek burrat.
Por, ndryshe nga e kaluara, tani mosha e pacientëve që diagnostikohen me sëmundje malinje ka ndryshuar.
“Ka tendencë në rritje të incidencës të sëmundjeve malinje tek moshat më të reja, pra mes moshës 30 dhe 50 vjeç e kjo lë me kuptu që duhet të kemi kontrolle më të shpeshta, rutinë dhe të domosdoshme kur ka nevojë”, u shpreh ai.
Ndërkohë, nga janari deri në gusht janë regjistruar rreth 1 mijë e 500 raste me sëmundje malinje, shifër kjo është pothuajse e ngjashme me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.