Senati amerikan të mërkurën do ta ratifikojë anëtarësimin në Aleancën Veriatlantike (NATO) për Finlandën dhe Suedinë.

Ky hap po konsiderohet vendimtar drejt zgjerimit të shpejtë të aleancës ushtarake perëndimore, me një shfaqje të mbështetjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në përgjigje të luftës së Rusisë me Ukrainën, shkruan Associated Press.

Senatorët kanë ftuar ambasadorët e vendeve të jenë dëshmitarë të debatit dhe votimit historik të së mërkurës, i cili do të hapte një epokë të re për Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut.

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, ka kërkuar hyrje të shpejtë për dy aleatët e Evropës Veriore që më parë nuk ishin të lidhur ushtarakisht, dhe miratimi i rezolutës së ratifikimit ka mbështetje të madhe dypartiake në Kongres.

“Aleanca jonë e NATO-s është themeli që ka garantuar demokracinë në botën perëndimore që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore”, ka thënë udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer.

30 vendet anëtare të NATO-s janë në proces të shqyrtimit të shtimit, pasi Suedia dhe Finlanda e lanë mënjanë qëndrimin e tyre të gjatë të mosangazhimit ushtarak.

Ky ishte një ndryshim i madh i marrëveshjeve të sigurisë për të dy vendet, pasi Rusia fqinje nisi luftën e saj kundër Ukrainës në fillim të këtij viti.