Senati i Italisë miratoi të enjten reformën gjithëpërfshirëse gjyqësore, duke çuar përpara reformën kryesore kushtetuese të kryeministres Giorgia Meloni, pavarësisht kundërshtimit të ashpër nga magjistratët dhe opozita e qendrës së majtë.

Megjithatë besohet se sprova e vërtetë është përpara, pasi vendi do përballet me një referendum mbarëkombëtar që pritet të zhvillohet pranverën e ardhshme në mënyrë që të bëhet ligj.

Sondazhet e fundit tregojnë se italianët janë të ndarë në një çështje të diskutueshme që ka trazuar politikën e brendshme për dekada të tëra, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.

Votat në Senat erdhën pasi një serie tensionesh të larta midis koalicionit të Melonit dhe gjyqësorit, pasi gjykata e auditorëve të shtetit refuzoi të autorizonte një plan qeveritar të mërkurën për të ndërtuar një urë që lidh Sicilinë me kontinentin.

Meloni akuzoi gjykatën se po luante politikë për shkak të kundërshtimit të saj ndaj nismës së reformës – diçka që gjyqtarët e mohuan.

“Po bëjmë një hap të rëndësishëm drejt një sistemi që është më efikas, i balancuar dhe më afër qytetarëve.” tha Meloni pas votimit të së enjtes, duke e quajtur atë “një moment historik”.

Nëse miratohet me referendum, reforma do të ristrukturojë në themel sistemin e drejtësisë së Italisë duke ndarë karrierën e prokurorëve dhe gjyqtarëve, një veprim që qeveria e quan të nevojshëm për të parandaluar konfliktin e interesit midis dy grupeve dhe për të parandaluar paragjykimet e mundshme politike.

Aktualisht, magjistratët hyjnë në një provim të vetëm dhe mund të kalojnë nga një rol në tjetrin gjatë gjithë karrierës së tyre. Sipas sistemit të ri, kandidatët duhet të zgjedhin që në fillim nëse do të bëhen gjyqtarë apo prokurorë, pa mundësi ndryshimi.

Këshilli që mbikëqyr emërimet dhe çështjet disiplinore do të ndahet në dy organe të veçanta vetëqeverisëse, me anëtarë të zgjedhur me short dhe jo me zgjedhje, një ndryshim që synon të parandalojë grupet e lobimit të fitojnë epërsi.

Gjyqësori ka akuzuar qeverinë se kërkon kontroll mbi prokurorët për të diktojë se cilat krime mund dhe nuk mund të hetojnë – një akuzë që opozita e qendrës së majtë e ka përsëritur.

“Kjo nuk është një reformë që përmirëson sistemin e drejtësisë, as nuk i ndihmon italianët. I shërben kësaj qeverie që të ketë liri veprimi dhe të vendoset mbi ligjet dhe Kushtetutën”, tha Elly Schlein, kreu i Partisë Demokratike kryesore të opozitës.