Senati i UP-së miraton deklaratën për luftën çlirimtare të Kosovës

Senati i Universitetit të Prishtinës ka publikuar një deklaratë lidhur me luftën çlirimtare të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e trajtimit të historisë së luftës përmes fakteve, dokumenteve dhe standardeve akademike.

Në deklaratë, Universiteti i Prishtinës shprehet se drejtësia duhet të jetë “e pavarur, e paanshme, objektive dhe e mbështetur në prova”, duke nënvizuar se drejtësia e qëndrueshme nuk mund të ndërtohet mbi “paragjykime kolektive”.

Universiteti vlerëson se lufta e Kosovës duhet të shqyrtohet brenda kontekstit politik, shoqëror dhe humanitar në të cilin u zhvillua. Sipas deklaratës, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte pjesë e përpjekjes së popullit të Kosovës për “mbrojtjen e shtëpisë, jetës, dinjitetit njerëzor, lirisë individuale dhe kolektive”.

Në këtë kuadër, UP-ja thekson se lufta u zhvillua në një periudhë të karakterizuar nga dhuna sistematike, dëbimet masive dhe shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut dhe të së drejtës humanitare.

“Në të njëjtën kohë, universiteti vlerëson se historia e luftës së Kosovës nuk mund të shkëputet nga konteksti politik, shoqëror dhe humanitar, në të cilin ajo u zhvillua. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte pjesë e përpjekjes së popullit të Kosovës për mbrojtjen e shtëpisë, jetës, dinjitetit njerëzor, lirisë individuale dhe kolektive, si dhe të së drejtës për të jetuar i lirë nga represioni dhe dhuna. Kjo luftë u zhvillua në një kontekst të dhunës sistematike, dëbimeve masive dhe dëbimit të popullsisë shqiptare të Kosovës, të shoqëruara me shkelje të rënda dhe sistematike të të drejtave të njeriut dhe të së drejtës humanitare. Këto zhvillime përbëjnë pjesë të dokumentuara të historisë së Kosovës dhe të kontekstit, në të cilin duhet të kuptohet lufta e saj për liri. Për rrjedhojë, çdo trajtim serioz i kësaj periudhe duhet ta marrë parasysh këtë realitet historik dhe humanitar. Mbështetja dhe ndërhyrja e NATO-s duhet të kuptohen në kontekstin e krizës humanitare, të dhunës së përhapur, të dëbimeve të popullsisë dhe të nevojës për mbrojtjen e saj”, thuhet në deklaratë.

Universiteti i referohet gjithashtu opinionit këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të 22 korrikut 2010, duke rikujtuar se gjykata kishte arritur në përfundimin se deklarata e pavarësisë së Kosovës e 17 shkurtit 2008 nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Senati i UP-së thekson se e vërteta historike duhet të kërkohet përmes “dokumenteve, dëshmive, kërkimit shkencor dhe debatit të hapur akademik”.

“E vërteta për luftën e Kosovës nuk duhet të ndërtohet mbi mohimin, relativizimin apo instrumentalizimin politik të historisë, por mbi shqyrtimin kritik dhe të përgjegjshëm të fakteve”, thuhet më tej.

Në deklaratë, Universiteti i Prishtinës shpreh gatishmërinë për të kontribuar në dokumentimin dhe studimin e luftës së Kosovës, përfshirë dëbimin dhe dhunën ndaj popullsisë civile, përvojën e viktimave dhe të zhvendosurve, si dhe procesin që çoi drejt lirisë dhe shtetësisë së Kosovës.

Universiteti thekson se kjo është një përgjegjësi “ndaj së vërtetës, ndaj viktimave dhe brezave që e përjetuan luftën”, por edhe ndaj brezave të rinj, të cilët, sipas deklaratës, kanë të drejtë ta njohin historinë e vendit mbi bazën e fakteve dhe standardeve akademike.

Në përmbyllje, UP-ja thotë se do të vazhdojë të mbrojë lirinë akademike dhe kërkimin shkencor, duke u shprehur e gatshme të vërë ekspertizën e saj në dispozicion për përpjekjet që synojnë dokumentimin dhe ndriçimin e historisë së luftës së Kosovës.

Shija e redaktorit

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

Të fundit nga rubrika