Senatori republikan Tim Scott hyn në garën për presidencial

Tim Scott, i vetmi republikan afrikano-amerikan në Senat, hapi të hënën zyrtarisht fushatën presidenciale për vitin 2024

Tim Scott, i vetmi republikan afrikano-amerikan në Senat, hapi të hënën zyrtarisht fushatën presidenciale për vitin 2024, në një përpjekje që mesazhi i tij të arrijë të bindë votuesit republikanë, të cilët vazhdojnë të mbështesin në shumicë ish-Presidentit Donald Trump.

Në fjalimin para mbështetësve, në qytetin e tij të lindjes në North Charleston të Karolinës së Jugut, 57 vjeçari Scott, foli për përvojën e tij personale, i rritur në varfëri vetëm nga nëna e tij, duke e ofruar atë si një provë se Amerika mbetet vendi i mundësive.

Ai theksoi përparimin që Shtetet e Bashkuara kanë bërë në çështjet racore në dekadat e fundit, duke thënë sikurse ka bërë shpesh, se SHBA-ja nuk është një vend racist. Ndërkohë, ai sulmoi demokratët për përpjekjen për të nxitur ndarje racore, për përfitime politike, shkruan VOA.

“Joe Biden dhe e majta radikale po sulmojnë çdo shkallë të këtij sistemi që më ndihmoi të ngjitem”, tha ai.

“Kjo është arsyeja pse unë po shpall sot kandidaturën për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Me vetëm 1% të mbështetjes në mesin e republikanëve të regjistruar, sipas një sondazhi të agjencisë ‘Reuters’ dhe kompanisë së sondazheve ‘Ipsos’, Scott përballet me një betejë të vështirë në përpjekjen e tij për të qenë kandidati zyrtar i republikanëve që do të përballet me Presidentin demokrat Joe Biden.

Rreth 49% e republikanëve pritet të votojnë për ish-presidentin Donald Trump, sipas sondazhit të Reuters/Ipsos.

Rivali më i afërt i tij, guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, do të hyjë në garë në ditët në vijim, sipas burimeve në dijeni të planeve të tij.

Por senatori Scott duket të jetë kandidati më i preferuar në mesin e donatorëve dhe kolegëve ligjvënës. John Thune, republikani numër dy në Senat, prezantoi Scott të hënën, ndërsa në krah të tij qëndronte bashkëthemeluesi i kompanisë ‘Oracle’, Larry Ellison, një mbështetës i fuqishëm i tij.

Ndërkohë në ditët e fundit shefi ekzekutiv i Tesla-s, Elon Musk, ka ripostuar në Twitter dy herë materiale nga llogaria e fushatës e Scott.

Senatori Scott është gjithashtu popullor në Karolinën e Jugut, një shtet që luan një rol kyç në garën republikane. Karolina e Jugut është shteti i treti në vend që zhvillon një garë brenda republikanëve, në betejën shtet për shtet, për të përcaktuar kandidatin për president.

Për të fituar shtetin, atij do t’i duhet të përballet drejtpërdrejt me Nikki Haley-n, ish-guvernatore e Karolinës së Jugut, e cila shpalli kandidaturën e saj në shkurt, e që gjithashtu është mjaft popullare mes votuesve të këtij shteti.

Senatori Tim Scott shquhet pjesërisht për optimizmin e tij dhe thirrjet për unitet, të cilat u shfaqën edhe gjatë fjalimit të tij sot. Ai shpesh tregon të shkuarën e tij, si një fëmijë nga një familje e varfër, si provë se SHBA-ja mbetet një vend i mundësive.

Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse një numër i konsiderueshëm republikanësh e shohin këtë mesazh të tij, si tërheqës.

Shija e redaktorit

Pritet votimi për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill...

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka bërë të ditur se çështja e anëtarësimit të Kosovës në KiE është këtë të martë në rend...

Hovenier: Shoqëritë janë më stabile nëse gratë janë ekonomikisht dhe...

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier derisa ka cituar një letër të presidentit amerikan, Joe Biden, ka thënë se...

Presidentja e Sllovenisë: Uroj që të jetojë derisa ta shoh...

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim Presidenten e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, e cila do të marrë pjesë në...

Të fundit nga rubrika