Serbë nga Kosova shkojnë në Beograd “për të mbrojtur presidentin”

“Kemi ardhur nga Kosova. Vullnetarisht. Askush nuk na organizoi”, thotë për Radion Evropa e Lirë një nga të mbledhurit në Parkun e Pionierit në Beograd, ku është ngritur një kamp i studentëve, që kundërshtojnë bllokadat e fakulteteve.

Në shtatë ditët e fundit, Parku i Pionierit, i cili gjendet pranë institucioneve më të rëndësishme shtetërore të Serbisë, është bërë vend i protestave të studentëve, të cilët kërkojnë t’iu mundësohet ndjekja e ligjëratave në universitete.

Në këtë lokacion, aktualisht, gjenden edhe pjesëtarë të Njësisë së shpërbërë të Operacioneve Speciale (JSO), komandantët e së cilës janë dënuar për krime lufte dhe likuidime politike; zyrtarë të Partisë Përparimtare Serbe në pushtet, si dhe një grup më i madh njerëzish nga Kosova.

Për disa nga ta, mbështetja e kërkesave të “studentëve që duan të mësojnë”, nuk është motivi parësor për të qenë aty.

“Ne kemi ardhur për të mbështetur presidentin Aleksandar Vuçiq, i cili është gjithmonë me ne”, thotë për REL një qytetar që prezantohet si Tihomiri nga Kosova.

I pyetur se sa kohë planifikojnë të qëndrojnë në Parkun e Pionierit, ai përgjigjet shkurtimisht: “Aq kohë sa të jetë e nevojshme”.

Duke u bazuar në pamje dhe me ndihmën e mjeteve online për krahasimin e fytyrave, Radio Evropa e Lirë identifikoi mes turmës Sasha Millosheviqin, kryetar i Komunës së Novobërdës në Kosovë dhe njëkohësisht kryetar i Autoritetit të Përkohshëm Komunal të Gjilanit – i cili funksionon në kuadër të sistemit serb – si dhe Sasha Sekulliqin, kryetar i Shoqatës së Biznesmenëve Serbë në Graçanicë.

Shasha Millosheviq, kryetar i Komunës së Novobërdës. Fotografia në anën e djathtë është shkrepur në kampin në Parkun e Pionierit.

Sasha Sekulliqin, kryetar i Shoqatës së Biznesmenëve Serbë në Graçanicë. Fotografia në anën e majtë është nga kampi në Beograd.

Në të njëjtën mënyrë u identifikua edhe Millan Kovaçeviq nga fshati Banjë, afër Skenderajt.

Millan Kovaçeviq nga fshati Banjë, afër Skenderajt. Fotografia në anën e majtë është realizuar në kampin në Parkun e Pionierit në Beograd.

Kovaçeviq u shfaq në media në vitin 2018, kur Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë i dhuroi dy lopë dhe pesë dele, pas një premtimi të mëparshëm të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Çadrat e tyre janë të vendosura para hyrjes së Pallatit të Vjetër, ku gjendet Kuvendi i Qytetit të Beogradit.

Ata nuk iu përgjigjën mesazheve dhe thirrjeve të gazetarëve të Radios Evropa e Lirë për komente.

Në Parkun e Pionierit, gazetarët e REL-it identifikuan edhe punonjës të institucioneve në komunën e Oseçinës në Serbinë qendrore.

Në fotografi shihen Zhelko Grujiçiq, anëtar i Këshillit Komunal të Komunës së Oseçinës, si dhe Svetozar Gaçiq, kryetar i Kuvendit Komunal të Oseçinës.

As kjo komunë nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se sa zyrtarë komunalë janë duke qëndruar aktualisht në kampin në Beograd, dhe nëse komuna e ka organizuar udhëtimin e tyre.

Opozita serbe njoftoi më herët për “organizimet nga Lista Serbe”

RSL merr vesh se serbë nga zona të ndryshme të Kosovës, si Shtërpca, Graçanica, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi e Zubin Potoku, kanë shkuar në kampin para Presidencës serbe.

Në mesin e tyre ka edhe punonjës të institucioneve serbe, që besohet se u janë dhënë mëditje dhe u është premtuar rritje e pagave mujore.

Ka edhe prej atyre që punojnë në institucionet e Kosovës, por që janë të afërt me Listën Serbe – partinë më të madhe serbe në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit.

REL ka informacione nga disa burime të afërta me personat që kanë shkuar në kamp, se ata janë informuar “brenda natës” se në çfarë ore dhe nga cili vend do të nisen për në Beograd, për t’i ofruar mbështetje presidentit serb, Vuçiq. Disa u nisën me autobusë të organizuar dhe disa me makinat e tyre private.

Burimet e REL duan të mbeten anonime për arsye sigurie.Që nga fundi i shkurtit, opozita serbe në Kosovë ka paralajmëruar opinionin se Lista Serbe po organizon serbë nga Kosova, për të krijuar një “mur njerëzor” para Presidencës së Serbisë, për të “mbrojtur” presidentin Vuçiq nga “revolucioni me ngjyra”.

REL pyeti Listën Serbe dhe Presidencën e Serbisë nëse është e vërtetë se ato qëndrojnë pas organizimit të shkuarjes së serbëve nga Kosova në Beograd për të “mbrojtur” Vuçiqin, si dhe cili është qëllimi i një organizimi të tillë dhe nga kush duhet të mbrohet Vuçiq, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Shija e redaktorit

Ipeshkvi Dodë Gjergji uron Fitër Bajramin nga BIK-u: Thirrje për...

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës me rastin e festës së Fitër Bajramit, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare. Së...

Për nder të 32-vjetorit të themelimit, shtëpia botuese “Dukagjini” dhuron...

E themeluar më 14 mars 1994, në një periudhë sfiduese për librin, arsimin dhe kulturën shqiptare në Kosovë, shtëpia botuese “Dukagjini” sot shënon 32-vjetorin...

Ekskluzive: Kosova mundëson riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë-Hercegovinës nga Riadi...

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka organizuar riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë dhe Hercegovinës me një fluturim nga Riadi drejt...

Të fundit nga rubrika