Serbi i dyshuar për spiunazh: Prokuroria kërkon paraburgim, mbrojtja ofron dorëzani prej 15 mijë eurosh
Prokuroria Speciale e Kosovës ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj zyrtarit policor Bojan Jevtiq, i cili dyshohet për veprën penale të spiunazhit. Prokurori special Bekim Kodraliu bëri të ditur se gjatë bastisjeve të kryera në Kamenicë janë siguruar prova materiale dhe personale që vërtetojnë dyshimin për përfshirjen e Jevtiqit në aktivitete […]
Prokuroria Speciale e Kosovës ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj zyrtarit policor Bojan Jevtiq, i cili dyshohet për veprën penale të spiunazhit.
Prokurori special Bekim Kodraliu bëri të ditur se gjatë bastisjeve të kryera në Kamenicë janë siguruar prova materiale dhe personale që vërtetojnë dyshimin për përfshirjen e Jevtiqit në aktivitete të kundërligjshme.
Sipas Prokurorisë, në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës, të ndërlidhura me sigurinë e shtetit dhe qytetarëve, një armë pa leje, municion, si dhe një shumë e konsiderueshme e parave, të cilat nuk janë justifikuar nga i dyshuari.
“Sot Prokuroria Speciale e Kosovës ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Bojan Jevtiq, një zyrtar policor i dyshuar për veprën penale të spiunazhit. Po ashtu, siç keni qenë të njoftuar edhe dje, Prokuroria Speciale ka ndërmarrë një aksion të gjerë në komunën e Kamenicës, respektivisht në shtëpinë e të pandehurit Bojan Jevtiq dhe objekte përcjellëse ku kemi siguruar prova të mjaftueshme materiale dhe personale, e në bazë të të cilave kemi vërtetuar fuqishëm dyshimin e bazuar se i njëjti është duke u marrë me aktivitet të kundërligjshëm, aktivitet i cili cenon rendin juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës, zyrtarëve të saj dhe qytetarëve të saj. Andaj kemi konsideruar se sot duhet të paraqesim masën e propozuar, respektivisht masën e paraburgimit”, ka thënë Kodraliu.
Nga provat e siguruara dje kemi gjetur një armë të shkurtër pa autorizim të të pandehurit, një sasi të municionit, monedha, respektivisht një shumë të caktuar të parave të cilat ne dyshojmë që i pandehuri i ka përfituar duke kryer veprat penale. Janë 2 milionë dinarë serbë, 10 mijë euro dhe 600 franga, të cilat deri më tani i pandehuri nuk ka mundur t’i justifikojë, të cilat ne konsiderojmë se janë rezultat i veprës penale të spiunazhit,”
Ndërkohë, avokati i Jevtiqit, Milosh Nikolliq, ka kërkuar që klienti i tij të mbrohet në liri dhe ka ofruar një garanci prej 15 mijë eurosh. Ai ka propozuar masën e arrestit shtëpiak me mbikëqyrje policore si alternativë ndaj paraburgimit.
Sipas tij, Jevtiq ka qenë pjesë e Policisë së Kosovës që nga viti 2002, ka punuar në pikën kufitare në Dheu i Bardhë dhe nuk ka pasur ndonjë pozitë të lartë apo probleme të mëparshme ligjore.
“Kështu, u mbajt seanca për caktimin e masës së paraburgimit sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale në Prishtinë. Bojan Jevtiq është pjesëtar i Policisë së Kosovës, është në shërbim që nga viti 2002. Aktualisht ndaj tij po zhvillohet një hetim për veprën penale të spiunazhit. Ajo që është me rëndësi, sot i kemi paraqitur argumentet në favor të tij sa i përket kërkesës për caktimin e paraburgimit. Kjo ka të bëjë me faktin se ai do të jetë i qasshëm për organet deri në përfundim të procedurës se do t’i përgjigjet çdo thirrjeje. Dhe në këtë qëllim kemi ofruar masën e garancisë në shumën prej 15.000 eurosh. Pra, ai do të bashkëpunojë me organet. Vendimi për paraburgimin ende nuk është marrë. Do të merret për dy orë, për çka do t’ju njoftojmë”, ka thënë Nikoliq.















