Një serb nga komuna e Zveçanit, Nemanja Milkoviq, është identifikuar si një nga luftëtarët vullnetarë që po marrin pjesë në luftën në Ukrainë, duke luftuar përkrah forcave ruse.

Milkoviq, 30 vjeç, prej më shumë se pesë vitesh jeton në Rusi, ndërsa aktualisht është pjesëtar aktiv i njësive të njohura si formacionet “Z”, të cilat janë të lidhura me operacionet ushtarake të Rusisë në Ukrainë. Ai jeton në rrethinat e Sochi-t, ku banon me gruan dhe fëmijën e tij.

Përmes profilit të tij në Instagram, Milkoviq ka publikuar disa fotografi ku shihet i armatosur dhe i veshur me uniformë ushtarake, duke konfirmuar përfshirjen e tij në linjat e frontit të konfliktit.

Sipas burimeve ndërkombëtare të sigurisë, ky nuk është rasti i vetëm i shtetasve nga Ballkani që i janë bashkuar konflikteve të armatosura jashtë vendit, një fenomen që po trajtohet me shqetësim nga autoritetet e sigurisë në rajon.

Pjesëmarrja e qytetarëve në luftëra të huaja është e ndaluar me ligj në shumë vende, përfshirë Kosovën dhe Serbinë, ndërsa autoritetet e sigurisë janë duke monitoruar aktivitetet e tilla për të parandaluar rekrutimet dhe përfshirjen e shtetasve të rajonit në konfliktet ndërkombëtare./KosovaPress