Ish-polici kosovar, pjesëtar i NJSO-së para që tre dite u ndalua në pikën kufitare mes Hungarisë e Serbisë, tashmë ka edhe një vendim nga autoritetet e Serbisë.

Atij i është caktuar masë e paraburgimit prej një muaj.

Por, pos kësaj nga Gjykata e lartë në Serbi ai po dyshohet që ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” në shtator të 2023-s në Banjskë.

Kështu e ka konfirmuar kjo Gjykatë për Radio Evropa e Lirë.

Gjithsesi, familjarët e tij dhe avokati, Arianit Koci kishin thënë që Arbnor Spahiu ka dhënë dorëheqje nga Policia qe tre vite, para sulmit terrorist në Banjskë, ku u vranë tre serbë.

Përfaqësuesi i tij ligjor dhe familjar tashmë janë në Serbi duke u marr me procedurat e mëtejme por institucionet përgjegjëse të Kosovës nuk i kanë kthyer përgjigje Dukagjinit nëse ka ndonjë zhvillim në këtë drejtim.

Ndërkohë, ish-koloneli i Policisë, Refki Morina po thotë se presioni i institucioneve të Kosovës në këso raste duhet të rritet.

 “Gjithashtu duhet të kihet kujdes zyrtarët policor, ish zyrtarët, ushtarakët e pjesëtarë të UCK-së sepse aktakuzat në Serbi shpeshherë dijnë të i fabrikojnë, t’i rregullojnë vet, vetëm me qëllim të keqtrajtimit, të ndjellin frikë e të tentojnë të ndikojnë në punën e institucioneve të sigurisë”, deklaroi Morina.

Thirrje për kujdes ka bërë edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

 “Pjesëtarët e UÇK-së dhe familjarët e tyre nuk duhet të udhëtojnë nëpër Serbi. Gjithë pjesëtarët e institucioneve të rendit dhe të sigurisë, qoftë të liruar nga detyrat dhe përgjegjësitë, si dhe familjarët e tyre të ngushtë, s’duhet të udhëtojnë nëpër Serbi”, Deklaroi Haradinaj.

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gervalla dje tha se i kanë njoftuar misionet ndërkombëtare si në vend ashtu edhe në Serbi dhe kanë kërkuar edhe ndihmën e tyre por nuk dha më shumë detaje pos që u kërkoi kosovarëve të shfyrtëzojnë rrugë alternative e jo nga Serbia.