Serbia ia ndalon “pa shpjegim” vizitën Sveçlës në Luginë të Preshevës

Autoritetet në Serbi ia kanë refuzuar kërkesën ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili kishte planifikuar për sot një vizitë zyrtare në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Sveçla tha se vizita iu refuzua pa asnjë shpjegim, derisa ka paralajmëruar reciprocitet sa i përket vizitave të zyrtarëve shtetërorë. Përderisa nga Këshilli Kombëtar Shqiptarë në Luginë, këtë vendim e vlerësojnë si diskriminim

Agjenda ishte planifikuar e gjithçka ishte gati për nisje e pritje, por vizita e ministrit Xhelal Sveçla në Luginë të Preshevës nuk arriti të realizohet.

Mbrëmë ca orë para mesnate, autoritetet e Serbisë kanë refuzuar kërkesën e ministrit të brendshëm që të hyjë andej kufirit.

Të enjten me reagim doli vetë Svecla, i cili tha se ky refuzim pa asnjë shpjegim nga Serbia është dëshmi e qasjes destruktive dhe shtypjen e shqiptarëve të Luginës.

“Ky akt i Serbisë ndaj vizitës sime dëshmon qasjen destruktive dhe shtypjen e vazhdueshme të saj ndaj shqiptarëve të Luginës. Ky refuzim pa asnjë arsyetim nga Serbia disa orë para realizimit të vizitës, nuk zbehë qëllimet dhe angazhimin tonë për shqiptarët e Luginës. Ndër të tjera, nuk do të zbehë as dëshirën dhe qëllimin tim për realizim të vizitës atje, për të ndarë me shqiptarët e Luginës shqetësimet e padrejtësitë me të cilat ata ballafaqohen dhe angazhimet e institucioneve të Republikës sonë për ta. Për çështjen e vizitave të zyrtarëve shtetërorë, ne do të veprojmë mbi parimet e reciprocitetit si vlerë e barazisë mes dy shteteve tona”, tha ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

E, ai i cili ia ka bërë ftesën ministrit, tregon për agjendën e vizitës që nuk ndodhi.

“E kemi konsideru që është vizitë e rëndësishme për qytetarët e Luginës së Preshevës për të parë për së afërmi gjendjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Sipas agjendës, ministri është dashur ta vizitojë fillimisht komunën e Medvegjës, t’i takojë përfaqësuesit politik dhe përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptar, pastaj në Bujanoc e në Preshevë”, tha Nevzad Lutfiu, kryetar i Këshillit Kombëtar në Luginë.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar thotë se Serbia po tenton të shkëpusë lidhjet e shqiptarëve atje me Kosovën.

“Është një praktikë që Serbia po e praktikon, edhe herave të fundit, ku përveç që i refuzon këto vizita i refuzon në momentin e fundit. Normalisht kjo tregon edhe një formë tjetër të diskriminimit, për shkak që ky shtet është i interesuar që t’i mbajë larg lidhjet tona me Kosovën e që Kosova është gjithçka në raport me ekzistimin tonë”, tha Luftiu.

Për këtë vendim të Serbisë, që Kosova e konsideron në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit, Dukagjini ka pyetur Bashkimin Evropian, por nuk ka marrë përgjigje të enjten.

Ky nuk është refuzimi i parë i vizitave të ministrave të Qeverisë Kurti, të cilët kanë paraqitur kërkesa për vizita në Luginë.

Shija e redaktorit

BookFest rikthehet në Albi Mall: 10 ditë me zbritje speciale,...

Nga 10 deri më 19 korrik, Libraria Dukagjini sjell edicionin e katërt të BookFest, festivalit të librit që tashmë është shndërruar në një pikëtakim...

“Dukagjini” dhe “Pearson” organizojnë konferencë për mësimdhënësit e anglishtes

Shtëpia Botuese “Dukagjini”, në bashkëpunim me Pearson, organizoi sot në Prishtinë konferencën “Together We Rise”, një nga ngjarjet më të rëndësishme profesionale për mësimdhënësit...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” me shumë aktivitete për fëmijët më 1...

Prindër e fëmijë u bënë bashkë në një vend. Për 1 qershorin, Ditën Botërore të Fëmijëve, Shtëpia Botuese Dukagjini i mblodhi në sheshin “Zahir Pajaziti”...

Të fundit nga rubrika