Autoritetet serbe të mërkurën e kanë liruar nga mbajtja personin që institucionet e Kosovës po e dëshirojnë nën pranga.

Bëhet fjalë pikërisht për Milan Radojiçiqin, i cili udhëhoqi sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë.

Gjykata e Lartë në Beograd bëri me dije se e ka refuzuar propozimin e Prokurorisë për paraburgim nën arsyetimin se ka rrezik të arratiset.

E, pikërisht në kohën kur Kosova po tenton ta ekstradojë, institucionet e Serbisë, ia ndaluan Radojiçiqit hyrjen në Kosovë, shtetin ku kreu krimin.

Madje, atij iu konfiskua edhe pasaporta.

Mirëpo për këtë vendim nuk është befasuar ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, e cila përmend refuzimin e vazhdueshëm të Serbisë për bashkëpunim.

“Sulmi terrorist në Kosovë është dirigjuar, siç është dëshmuar, nga Serbia dhe në këtë drejtim, çfarëdo veprimi në raport me këtë çështje, me grupin e armatosur, që e bën Serbia nuk na befason aspak. Serbia nuk i ka dorëzuar asnjëherë kriminelët dhe nuk do t’i dorëzojë as terroristët. Thënë qartë, Serbia është strehë e kriminelëve të luftës dhe terroristëve që para 10 dite bën sulm terrorist në territorin e Kosovës”, ka deklaruar Haxhiu.

Pavarësisht kësaj, ministrja tha se Kosova do të vazhdojë të kërkojë dorëzimin e Radojiçiqit.

Presioni i fortë ndërkombëtar do të mund të ishte zgjidhje për ekstradimin e tij, sipas avokatit Ardian Bajraktari.

“Duhet ta dimë që ekstradimi është pjesë e marrëveshjeve të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rrjedhimisht ai është refleksion i vullnetit politik të vendeve respektive dhe ne jemi dëshmitarë të fqiut tonë verior prandaj një ekstradim i tillë është i vështirë, por jo i pamundur nëse do të ketë presion në rritje të faktorit ndërkombëtar për ta detyruar Vuçiqin të bëjë një gjë të tillë, atëherë edhe mund të ndodhë”, ka thënë Bajraktari.

Televizioni Dukagjini ka pyetur edhe Gjykatën Themelore në Prishtinë nëse është parashtruar kërkesa për urdhërarrest ndërkombëtar për Radojiçiqin, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.