Serbia pretendon se shqiptarët nuk janë fshirë prej listave të votuesve

Ministria për Administratë Shtetërore dhe Vetëqeverisje Lokale e Serbisë ka mohuar pretendimet se mijëra shqiptarë të Luginës së Preshevës janë fshirë prej listave të votuesve dhe se policia i ka pasivizuar adresat e tyre, duke i lënë pa dokumente personale. Çështja e pasivizimit të adresave ka shkaktuar shqetësime për respektimin e të drejtave të minoriteteve në Serbi, sidomos për pjesën shqiptare të popullsisë

Presheva, një prej komunave në jug të Serbisë, e banuar me shumicë shqiptare.

Ministria për Administratë Shtetërore dhe Vetëqeverisje Lokale e Serbisë e ka mohuar që mijëra shqiptarë të Luginës së Preshevës janë fshirë prej listave të votuesve dhe që policia i ka pasivizuar adresat dhe i ka lënë banorët pa dokumente personale.

Pasivizimi nënkupton fshirjen e qytetarëve prej adresave ku kanë qenë të regjistruar.

Ministri për Administratë Shtetërore dhe Vetëqeverisje Lokale dhe presidenti i trupit koordinues për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Aleksandar Martinoviq, ka thënë se këto pretendime janë “të papranueshme dhe plotësisht të pasakta”.

“I ashtuquajturi pasivizim i adresave të shqiptarëve në jug të Serbisë, nuk është duke ndodhur”, ka thënë ai, duke theksuar se shqiptarët në Serbi “kanë të drejtë për të votuar dhe të gjitha të drejtat tjera, sikurse të gjithë shtetasit tjerë të Serbisë”.

Sipas tij, pasivizimi i adresave bëhet “në përputhje me ligjin”.

“Ministria e Punëve të Brendshme e ka një procedurë unike për verifikim të adresave, prandaj nuk mund të thuhet se ka të bëjë me një grup apo territor specifik”, ka shtuar Martinoviq.

Ministria ka thënë, po ashtu, se prej fillimit të vitit 2023 “nuk është dorëzuar asnjë apel kundër vendimeve për fshirje të personave nga lista e votuesve në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”.

Reagimi i Martinoviqit vjen një ditë pas artikullit të Radios Evropa e Lirë, që raporton për historinë e Safet Demiroviqit dhe Teuta Fazliut, shqiptarë prej jugut të Serbisë, adresat e të cilëve janë pasivizuar.

Diçka e tillë dyshohet se është bërë nën arsyetimin se ata nuk jetojnë në adresat e regjistruara.

Rasti i Demiroviqit dhe Fazliut ka arritur në Gjykatën Kushtetuese të Serbisë, dhe në apel është thënë se ata janë viktima të diskriminimit, dhe që policia ilegalisht i ka fshirë prej adresave, në mënyrë që t’iu mohohen të drejtat themelore.

Përveç të drejtës për dokumentacion dhe sigurim shëndetësor, aty u është mohuar edhe e drejta për të votuar në zgjedhje.

Pretendime të njëjta janë publikuar së fundi edhe nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejta të Njeriut.

Sipas të dhënave të organiztës, prej vitit 2022, adresat e më shumë se 2.900 qytetarëve janë pasivuzuar në Luginën e Preshevës.

Në raport pretendohet se pasivizimi nuk është duke u kryer në përputhje me ligjin.

Problemi i pasivizimit të adresave është përmendur edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, pjesa për Serbinë, kur është përmendur respektimi i të drejtave të minoriteteve.

Në raportin për vitin 2022 përmendet edhe që pjesëtarët e pakicës shqiptare kanë shprehur shqetësim për mënyrën se si kontrollohet adresa e tyre e banimit, shkruan REL.

“Ekziston nevoja që autoritetet të sqarojnë më mirë për publikun si kryhen këto kontrolle”, është thënë mes tjerash në raport.

Në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit, për vitin 2022 është përmendur se praktika e pasivizimit të adresave në Serbi, konsiderohet veprim kontrovers.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika