Shkaktar i katër luftërave, vrasjes së mbi 200 mijë njerëzve, miliona refugjatëve,  gjenocidit në shtetet fqinje, dhe i bombardimit të kryeqytetit nga NATO.

Popullit serb i’u deshën dy dekada të zgjohet nga gjumi, ishte data 5 tetor viti 2000.

Zgjimi nga agonia 20-vjeçare me Slobodan Millosheviqin si president nuk ndodhi për shkak se serbët e kishin kuptuar se sa i keq ishte lideri, por për shkak të vjedhjes së votave në zgjedhjet e vitit 2000.

Pasardhësi Vojislav Koštunica nuk po i përshtatej pozicionit të keq të Serbisë, i cili kërkonte veprime radikale.

Ishte koha që kasapi i Ballkanit të japë llogari për krimet që mbajnë vulën shtetërore të Serbisë.

Më 28 qershor 2001, kryeministri Zoran Gjingjiq e dorëzon Millosheviqin në Hagë. Ai akuzohet për krime lufte në Kroaci dhe Kosovë dhe për gjenocid në Bosnje – Hercegovinë.

Në Hagë u përballë me njeriun të cilin dhunshëm e kishte marrë nga Prishtina në Beograd, por tash në pozitë të ndryshme, njëri kriminel lufte, tjetri president i Kosovës së lirë.

Millosheviqi – “A ishte UÇK-ja organizatë terroriste?”

Ibrahim Rugova: “Jo nuk ishte ajo terroriste, po njerëz që kanë reaguar ndaj dhunës dhe represionit shumëvjeçar që është bërë në Kosovë, pra qëllimi i tyre ishte që të arrihet liria të mbrohen njerëzit, ky ishte qëllimi i tyre.”

Nxjerrja e dëshmive për krime në Kosovë e Kroaci dhe për gjenocid në Bosnje – Hercegovinë, ka zgjatur deri më 25 shkurt të vitit 2004. Mbrojtja e tij ka filluar në fund të gushtit të këtij viti.

Gjykimi ishte ndërprerë disa herë për shkak të problemeve shëndetësore të Millosheviqit.

Më 11 mars 2004, në orën 09:30 në mëngjes, kasapi i Ballkanit u gjet i vdekur në qelinë e burgut.

Krimineli i pa dënuar nga Haga, sipas atyre që i njohin mirë të bëmat e tij, do të mbahet mend për shkatërrimin e Jugosllavisë dhe dështimin që  të krijojë Serbinë e madhe.

“Trashëgimi kob-zezë e tij është gjenocidi që ka bërë në Bosnje edhe zyrtarisht dihet që është gjenocidi në Srebrenicë. Dhe po ashtu nuk është i faktuar në të drejtën ndërkombëtare, po gjenocidi që ka bërë në Kosovë. Kjo është në memorien ndërkombëtare dhe do të mbetet si një kriminel me PolPotin, me Hitlerin, me Stalinin”, ka thënë profesori Milazim Krasniqi

Edhe 23 vjet pas rënies nga pushteti, trashëgimia politike e Millosheviqit, sipas profesorit Krasniqi, është e pranishme në Serbi.

“E lidh në mënyrë absolute e njëjta ideologji e Serbisë së madhe, atëherë është quajtur “Serbia e madhe”, tash quhet “bota serbe”, e lidhin Vuçiqi, Daçiqi, Vulini, Garshiqi,që kanë qenë zyrtarë të Qeverisë serbe, bile Vuçiqi ka qenë Ministër i Propagandës. Nuk ka asnjë lloj distancimi deri sot na politika e Millosheviqit. Edhe kur e kritikojnë e kritikojnë vetëm për një arsye. Pse nuk e ka realizuar projektin e Serbisë së madhe”, ka deklaruar Krasniqi.

Që presidenti Vuçiq ka qenë ministër i Millosheviqit, dhe i afërt me të tjerë për krime lufte nuk është risi. Gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë me armë në dorë ishte pranë kriminelit Vojislav Sheshel.

Vuçiq atë kohë kishte kërcënuar se “për një serb të vrarë, do t’i vrasin 100 myslimanë” – A. Vuçiq – 1995 – Video

Vetëm në Bosnje u vranë mbi 100 mijë njerëz, shumica myslimanë. Ndërsa në Kosovë mbi 13 mijë, prej tyre mbi 10 janë civilë, shumica shqiptarë.