“Serbia strofullë për ata që kanë bërë krime lufte”, Rudari: Me prova do ta evidetojmë para botës krimet e kryera gjatë luftës

Avokati Naim Rudari ka deklaruar se sistemi i drejtësisë në Kosovë po përballet me një sërë sfidash në zbatimin e gjykimeve në mungesë për krime lufte, megjithatë ai vlerëson se këto pengesa nuk janë të pakalueshme.

Duke folur për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës, Rudari tha se Kosova nuk ka pasur përvojë të mëhershme me procese të tilla, veçanërisht me gjykimet në mungesë të të akuzuarve.

“Janë disa sfida dhe vështirësi në aplikimin e gjykimeve në mungesë. Ato nuk janë të pakalueshme, por për sistemin e drejtësisë paraqesin një sfidë të veçantë, sidomos kur bëhet fjalë për krime lufte. Më parë nuk kemi pasur procese të tilla gjyqësore”, tha Rudari.

Ai vlerësoi punën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), duke theksuar se është inkurajuese rritja e numrit të hetimeve dhe aktakuzave për krime të luftës.

“Tani po shihet një punë e madhe e Prokurorisë Speciale dhe kjo është një lajm i mirë. Dihet se në Kosovë janë kryer shumë krime lufte që për vite të tëra kanë mbetur pa u trajtuar, por tashmë po shihet një angazhim serioz nga ana e prokurorisë”, u shpreh ai.

Rudari sqaroi se në rastet e gjykimeve në mungesë mbrojtja është e detyrueshme dhe gjykata cakton avokatë për të përfaqësuar të akuzuarit nëse ata nuk angazhojnë vetë mbrojtës.

“Në këto raste, avokatët janë të detyruar të ofrojnë mbrojtje, pasi mbrojtja është e detyrueshme. Duke qenë se shumica e të dyshuarve potencialë janë të nacionalitetit serb dhe rastet gjykohen në Gjykatën Themelore në Prishtinë, avokatët caktohen nga dega rajonale e Odës së Avokatëve në Prishtinë, në rastet kur të akuzuarit nuk angazhojnë vetë avokatë”, tha ai.

Sipas Rudarit, një tjetër sfidë e madhe mbetet ekzekutimi i vendimeve gjyqësore, pasi shumë nga të dyshuarit ndodhen në Serbi.

“Kur kemi të bëjmë me ekzekutimin e sanksioneve, situata do të jetë e vështirë, pasi Serbia mund të shërbejë si strehë për personat që kanë kryer krime lufte dhe nuk pritet që t’i dorëzojë ata”, deklaroi ai.

Megjithatë, ai theksoi se gjykimet në mungesë kanë vlerë të madhe për dokumentimin e krimeve dhe prezantimin e fakteve para opinionit ndërkombëtar.

“Me këto gjykime do të dalim para botës me fakte dhe argumente për krimet që janë kryer gjatë luftës së fundit në Kosovë”, tha Rudari.

Ai shtoi se puna e Prokurorisë mbetet jashtëzakonisht e vështirë, pasi kanë kaluar 27 vjet nga përfundimi i luftës, duke e bërë më të komplikuar sigurimin e provave dhe dëshmive.

“Është e vështirë të sigurohen provat dhe dëshmitarët pas kaq shumë vitesh. Ka persona që nuk jetojnë më dhe shumë dëshmi janë zbehur me kalimin e kohës. Megjithatë, është e rëndësishme që këto krime të dalin në pah, të shqyrtohen në gjykatë dhe, nëse vërtetohet përgjegjësia, kryesit e tyre të dënohen”, tha ai.

Në fund, Rudari theksoi se edhe avokatët kanë përgjegjësinë e tyre profesionale në këto procese.

“Avokatët duhet ta bëjnë punën e tyre në mënyrë profesionale dhe pa emocione, duke respektuar standardet e drejtësisë dhe të procesit të rregullt gjyqësor”, përfundoi ai.

Shija e redaktorit

“Dukagjini” dhe “Pearson” organizojnë konferencë për mësimdhënësit e anglishtes

Shtëpia Botuese “Dukagjini”, në bashkëpunim me Pearson, organizoi sot në Prishtinë konferencën “Together We Rise”, një nga ngjarjet më të rëndësishme profesionale për mësimdhënësit...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” me shumë aktivitete për fëmijët më 1...

Prindër e fëmijë u bënë bashkë në një vend. Për 1 qershorin, Ditën Botërore të Fëmijëve, Shtëpia Botuese Dukagjini i mblodhi në sheshin “Zahir Pajaziti”...

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Të fundit nga rubrika