Policia e Kosovës ka ndërmarrë sot një operacion të gjerë policor në komunën e Kaçanikut, i cili me gjasë vjen si vazhdim i hetimeve lidhur me vrasjen e rreshterit, Muhamed Lika.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, bëri të ditur se operacioni po realizohet nga njësitë relevante të policisë në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me organet e drejtësisë.
Ai shtoi se informacione të mëtejshme do të bëhen publike pas përfundimit të operacionit.
“Sot, në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante ka filluar një operacion policor, i cili po realizohet në komunën e Kaçanikut.
Edhe në këtë rast pas përfundimit të operacionit policor, i cili po realizohet në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, do të bëhen publike informacione shtesë”, ka njoftuar Kelani.
Ndërkohë, të hënën janë arrestuar shtatë persona të dyshuar për përfshirje në këtë rast të. Gjykata Themelore në Ferizaj u ka caktuar atyre masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Dosja e prokurorisë ka zbardhur detaje për mënyrën sesi ishte planifikuar dhe ekzekutuar vrasja e rreshterit Muhamed Lika më 1 prill 2025, rreth orës 23:00, në rrugën “Idriz Seferi” në Kaçanik.
“Nga këto prova vërtetohet se me datë 01 Prill 2025, rreth orës 23:00h, në Kaçanik, në rrugën “Idriz Seferi”, përkatësisht në katin e II-të të hyrjes së ndërtesës, në bashkëveprim, me dashje dhe përgatitje paraprake kanë planifikuar për ta privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin e policisë, rreshter Muhamet Lika, me detyrë në Stacionin Policor në Kaçanik, në atë mënyrë që viktima rreshter Muhamet Lika pas përfundimit të orarit të punës (ora 22:53:50, kamerat e sigurisë së SP Kaçanik) rrugës për në banesën e tij, ka lëvizur drejt vendbanimit të tij, ndërsa i pandehuri Haki Bela pasi që kishte qëndruar në lokalin e tij “Aksa”, dhe prej aty niset për në drejtim të Stacionit Policor, ku në ora (22:53), përballë kalohet me viktimën Muhamet Lika, e pastaj viktima vazhdon në drejtim të banesës ndërsa i pandehuri Haki vazhdon në drejtim të rrugës “UÇK” për 20 metra dhe më pastaj pas 30 sekondave kthehet në drejtim të viktimës, në vazhdim të pandehurit Shkëlqim Kuka dhe Edmond Lika në rrugë vëzhgojnë rrugëtimin e viktimës”.
Sipas provave të mbledhura, Lika ishte ndjekur nga disa të dyshuar pas përfundimit të orarit të tij të punës. Pamjet e kamerave të sigurisë konfirmojnë se një nga të dyshuarit, i mituri Rejhan Bela, e kishte përcjellë viktimën nga pas deri në hyrjen e banesës.
“….ku i mituri Rejhan Bela nga pamjet e kamerave të sigurisë në ora 22:57 vazhdon duke e përcjellë viktimën duke ecur rreth 15-20 metra mbrapa viktimës, i cili hynë në hyrjen e banesës së tij, dhe menjëherë pas viktimës i mituri Rejhan Bela hynë pas tij në hyrjen e objektit të banesës, në vend ngjarje janë gjetur katër gëzhoja të kalibrit 9.19 mm dhe nga plagët e marra, viktima Muhamet Lika në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kaçanik nga ekipet mjekësore është konstatuar vdekja e tij….”.