Episod i ri, por skenari i vjetër.

Në Kuvendin e Kosovës, as në tentimin e 21-të deputetët nuk arritën të zgjedhin kryetarin dhe nënkryetarët.

Anëtarët e komisionit për votim të fshehtë nuk u propozuan përsëri nga partitë tjera, përveç VV-së, e cila kishte propozuar Artan Abrashin në seancat e mëparshme.

Përkundër kësaj, kryesuesi Avni Dehari e dërgoi përsëri në votim, por komisioni mori vetëm 53 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim, andaj nuk mori përkrahjen e duhur.

Seanca u ndërpre. Ndërkaq, episodi i ri u caktua për 27 maj në orën 11:00.

Duket se nuk po kanë çfarë të thonë më as vetë të zgjedhurit e popullit. Kjo pasi në sallë nuk erdhën fare kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e as ai i NISMA-së, Fatmir Limaj.

Kurse para mediave, në holl, nuk u ndalën as nga LDK-ja, ndërsa shkurt, pa pyetje të gazetarëve, u ndal Vlora Çitaku.

“Qytetarët e Kosovës nuk kanë votuar për bllokadë , kanë votuar për të ndërtuar institucione të reja, të cilat do të duhej të ballafaqoheshin me sfidat e qytetarëve tanë. Fatkeqësisht, asgjë nuk është duke ndodhur”, ka deklaruar ajo.

Krejt fajet, sipas Arbresha Kryeziut të LVV-së, i ka opozita për këtë bllokadë. Kur u sfidua më shumë nga gazetarët rreth përgjegjësisë së partisë së saj, ajo nuk i kurseu as këta të fundit.

“Jam shumë kurioze me ditë, këto lloj pyetjesh a ia bëni partive opozitare dhe t’i pyesni se ata kanë vetëm një veprim të vetmin që shkon drejt zhbllokimit të situatës. Të lutem, po flas – pak respekt – sepse vazhdimisht keni tendencë ta sulmoni Lëvizjen Vetëvendosje, ndërkaq asnjëherë të vetme nuk e shpërfaqni faktin që LVV në vazhdimësi përpiqet të nxjerrë vendin nga kjo situatë që ka ardhur si rezultat i partive opozitare”, ka deklaruar ai.

LVV-ja vazhdon të insistojë në Albulena Haxhiun si kryetare të Kuvendit, ndërkaq partitë tjera kanë shprehur gatishmëri të votojnë kandidat ose kandidate të tjerë, por jo atë.