Sërish protestë në Beograd, kërkohet anulimi i zgjedhjeve

Mijëra protestues u mblodhën në Beograd, kryeqytetin e Serbisë, të shtunën për të kërkuar anulimin e zgjedhjeve të 17 dhjetorit. Protesta u organizua nga iniciativa civile joformale, ProGlas, e udhëhequr nga figura të njohura publike. Kërkesa e ProGlasit është mbajtja e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale brenda gjashtë muajve pas reformimit të rregullave zgjedhore

Disa mijëra protestues dolën sërish në qendër të kryeqytetit serb, Beograd, të shtunën për të kërkuar anulimin e zgjedhjeve të 17 dhjetorit.

Protesta u thirr nga iniciativa civile joformale, ProGlas, e nisur nga figura të njohura publike.

Organizatorët thanë se kërkesa e ProGlasit është që brenda gjashtë muajve të mbahen zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Serbi, “pas procesit të ndryshimit rrënjësor të kushteve zgjedhore”.

Ata thonë se është “tradhtuar” vullneti elektoral i qytetarëve.

Në Serbi janë mbajtur një varg protestash pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit, të nxitura nga akuzat për vjedhje elektorale nga Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet, e cila shpalli fitoren në të gjitha nivelet.

Koalicioni më i madh opozitar “Serbia kundër dhunës” e akuzoi SNS-në për vjedhje zgjedhore dhe kërkon përsëritjen e zgjedhjeve.

Autoritetet i kanë mohuar akuzat.

Një ditë para protestës, më 29 dhjetor, Komisioni Republikan i Zgjedhjeve i Serbisë (KRZ) e hodhi poshtë kërkesën e koalicionit “Serbia kundër dhunës” për anulimin e zgjedhjeve.

Dyshime për parregullsinë e zgjedhjeve shprehu edhe Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), e cila më 18 dhjetor njoftoi se zgjedhjet u shënuan me parregullsi të mëdha, keqpërdorim të fondeve publike, dominim mediatik nga presidenti Aleksandar Vuçiq, fushatë negative dhe përhapje të frikës.

Gjithashtu, një pjesë e eurodeputetëve kërkuan një hetim të pavarur të të gjitha parregullsive të raportuara gjatë zgjedhjeve të mbajtura në Serbi më 17 dhjetor, shkruan REL.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë thirrje autoriteteve në Serbi që t’i hetojnë pretendimet e vëzhguesve ndërkombëtarë për parregullsi zgjedhore.

Shija e redaktorit

Distria Krasniqi ia siguron Kosovës medaljen e artë në Kroaci

Xhudistja Distria Krasniqi e ka fituar medaljen e artë në Grand Prixin që po mbahet në Zagreb të Kroacisë. Krasniqi ka vazhduar dominimin e plotë...

Abetarja digjitale, versioni modern dhe interaktiv i librit të nxënësit,...

Një epokë e re e të mësuarit ka nisur për nxënësit e klasave të para! Abetarja digjitale, versioni modern dhe interaktiv i librit të parë...

Panairi i Librit në Tiranë: “Dukagjini” me 50% zbritje, stenda...

Në Tiranë ndihet kudo aroma e librit! Panairi i 28-të i Librit në Pallatin e Kongreseve ka hapur dyert dhe, si çdo vit, Shtëpia...

Të fundit nga rubrika