Njohësi i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Daniel Serwer, njëherësh profesor në universitetin amerikan “John Hopkins”, ka theksuar se sulmi në Banjskë më 24 shtator është një kopjim i strategjisë së presidentit rus, Vladimir Putin, në Donbas dhe Krime, nga homologu i tij serb, Aleksandër Vuçiq.

Serwer është shprehur se ambiciet e Vuçiqit për të kontrolluar fatin politik të serbëve në vendet përreth janë një kërcënim i madh për rajonin.

Ai gjithashtu ka bërë një krahasim me ngjarjet e kaluara në rajon dhe ka shprehur shqetësimin e tij se rajoni mund të përballet me paqëndrueshmëri serioze në të ardhmen.

“Mendoj se ambiciet e tij, të mbështetura nga Rusia, janë kërcënimi më i madh për paqen dhe stabilitetin në rajon. Historia nuk përsëritet, por rimon. Dyshoj se rajoni do të shkojë në një luftë për tre vjet e gjysmë siç ishte në Bosnjë në vitet 1990, por sigurisht që mund të shohim paqëndrueshmëri serioze. Vuçiqi donte të provokonte një konflikt brenda Kosovës, të cilin mund ta përdorte si justifikim për ndërhyrje ushtarake”, ka thënë Serwer për mediumin malazez “Antena M”.

Në lidhje me Qeverinë e re të Malit të Zi, Serwer ka shprehur dyshimet e tij se ekzekutivi malazez është i gatshëm t’u shërbejë interesave serbe dhe ruse.

Ai ka bërë një thirrje për NATO-n për t’i mbrojtur sekretet e Aleancës nga dërgimi në Moskë.

“Kjo qeveri duket se është krijuar për t’i shërbyer interesave serbe dhe ruse. NATO-ja patjetër do të duhet të mendojë se si t’i mbrojë sekretet e Aleancës nga dërgimi në Moskë”, ka theksuar Serwer.

Serwer gjithashtu ka vlerësuar se heshtja e Bashkimit Evropian është rezultat i faktit se BE-ja nuk dëshiron ta shohë veten si dikush që ndërhyn në punët e brendshme të Malit të Zi.