I dënuari në rastin e njohur “Bllaca 2”, Shaban Syla, ka reaguar përmes një letre publike drejtuar gazetarit Ermal Panduri, pas paralajmërimeve për transmetimin e emisionit me dokumente ekskluzive që përfshijnë laptopin e Nazim Bllacës dhe dosje të tjera

Në mesazhin e tij, Syla shprehet se i shkruan me vullnet të mirë dhe përgëzon gazetarin për angazhimin në, siç e quan ai, rrugëtimin drejt së vërtetës dhe drejtësisë.

“Po ju shkruan i dënuari në rastin Bllaca 2, Shaban Syla. Ju uroj shumë suksese në këtë rrugëtim për të vërtetën dhe drejtësinë,” thuhet në fillim të letrës drejtuar gazetarit Panduri.

Syla e përshëndet publikimin e materialeve të lidhura me Nazim Bllacën dhe sulmon ashpër rolin e ish- strukturave jugosllave dhe misionit ndërkombëtar të drejtësisë në Kosovë, EULEX, duke i quajtur “argatë të djallit”.

“Besoj se tash, pas shumë viteve vuajtje, ekzistojnë njerëz si ju që nuk kanë frikë nga UDB-ja dhe EULEX-i. Edhe unë vetë kam vuajtur nga këto organizata, që kanë vepruar herë si UDB dhe herë si EULEX, me njerëzit apo duart e tyre të zgjatura,” shkruan ai.

Në vijim, Syla i bën thirrje gazetarit që të mos i kursejë askënd nga ata që ai i quan përgjegjës për manipulimet dhe montimet në drejtësinë kosovare.

“Mos i fshihni dhe mos i kurseni askënd nga argatët e UDB-së dhe EULEX-it,” thekson Syla, duke shpresuar që pas publikimeve të gazetarit, institucionet e drejtësisë të veprojnë.

“Shpresoj që pas publikimeve tuaja, prokurorët e shtetit dhe AKI të kenë material të mjaftueshëm për të filluar hetim pas hetimi dhe për të ngritur akuza e aktakuza ndaj këtyre argatëve të djallit.”

Në fund të mesazhit, Syla thotë se është i habitur që ende ka gazetarë që guxojnë të trajtojnë tema të tilla dhe e përgëzon Pandurin për guximin dhe profesionalizmin:

Letra e plotë:

I nderuar zoti Panduri,

Po ju shkruan i dënuari në rastin Bllaca 2, Shaban Syla. Ju uroj shumë suksese në këtë rrugëtim për të vërtetën dhe drejtësinë.

Pas reklamave të disa ditëve rresht, keni publikuar një laptop të agjentit të BIA-s serbe, Nazim Bllaca. Po ju drejtohem me vullnet të mirë, sepse besoj se tash, pas shumë viteve vuajtje, ekzistojnë njerëz si ju që nuk kanë frikë nga UDB-ja dhe EULEX-i. Edhe unë vetë kam vuajtur nga këto organizata, që kanë vepruar herë si UDB dhe herë si EULEX, me njerëzit apo duart e tyre të zgjatura.

Prandaj, zoti Panduri, keni gjithë respektin tim që po i nxirrni në pah të bëmat dhe pisllëqet e UDB-së dhe EULEX-it. Ju uroj rrugë të mbarë në këtë proces, pasi vetë kam kaluar nëpër këto procese dhe i mbaj mend mirë.

Besoj që ju nuk do të fshihni asgjë nga ato që keni gjetur në laptopin e agjentit Nazim Bllaca. Mbetet të shohim me sytë tanë dhe të dëgjojmë me veshët tanë të gjitha manipulimet e argatëve të Bllacës.

Sinqerisht habitem, sepse mendoj që ende paska gazetarë të ndershëm e trima si ju. Shumë media i kanë dhënë hapësirë një krimineli si Nazim Bllaca.

Edhe njëherë, respekt i madh për ju, zoti Panduri, dhe ju uroj rrugë të mbarë e pa pengesa në këtë drejtim. Ju lutem, mos i fshihni dhe mos i kurseni askënd nga argatët e UDB-së dhe EULEX-it.

Shpresoj që pas publikimeve tuaja, prokurorët e shtetit dhe AKI të kenë material të mjaftueshëm për të filluar hetim pas hetimi dhe për të ngritur akuza e aktakuza ndaj këtyre argatëve të djallit.

Me respekt,
I dënuari në rastin Bllaca 2,
Shaban Syla,