Ish-i burgosuri politik, i cili vuajti një pjesë të burgut së bashku me Ukshin Hotin, ka rrëfyer momentet që ndau me të.

Shabani në FIVE në RTV Dukagjini ka thënë se Ukshin Hotin e takoi për herë të parë në Burgun e Mitrovicës së Sremit.

“Pastaj së bashku jemi transferuar në burgun e Nishit dhe në fund në burgun e Dubravës”.

Ai ka thënë se është një dhimbje dhe plagë e hapur jo vetëm për familjen, por edhe për bashkëveprimtarët dhe për gjithë popullin shqiptar.

“Tani e dimë që profesori i nderuar Ukshin Hoti ishte ndër figurat më të ndritura kombëtare, por fatkeqësisht edhe më tragjike, për arsye se zhdukja ishte e mistershme, prandaj ndiejmë dhimbje”, ka thënë ai.

Shabani ka thënë se në Mitrovicën e Sremit ishte së bashku në një qeli me profesorin Hoti deri në fillim të bombardimeve të NATO-s në mars të vitit 1999.

Ai ka rrëfyer se grupi i parë i UÇK-së që kishin rënë në burg torturoheshin deri në shtatë herë në ditë, mirëpo ai ka thënë se Ukshin Hoti ishte udhërrëfyesi i tyre dhe frymëzues.

“Ai ka pasur një qëndrim real, stoik, ka qëndruar së bashku me të burgosurit e tjerë. Kemi pasur vuajtje nga më të ndryshmet në ato burgje… ai [Hoti] ishte shënjestër e regjimit serb”, ka thënë ai.

Shabani ka rrëfyer momentet kur ishin transferuar në burgun e Nishit. Ai ka thënë se aty ishin keqtrajtuar të gjithë, por nga ajo që i kujtohet, Hoti nuk ishte përkulur, pavarësisht se e rrihnin dhe e rrëzonin derisa është vendosur në qelinë e burgut.

“Kurrë nuk është përkulur, kurrë nuk është ankuar, gjithashtu vuajtjet i ka përjetuar së bashku me neve”, ka thënë Shabani.