Emri i Shahin Bush mori vëmendje publike kur u përmend si i dyshuar për krime gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Përmes një video-incizimi të publikuar, Esat Shala, pretendon se ky person nga komuniteti turk, ka qenë i përfshirë në krime lufte në zonën e Krushës dhe rrethinën e Prizrenit, duke e lidhur atë me grupin e udhëhequr nga krimineli serb i njohur si “Arkani”.
Përballë këtyre pretendimeve, Televizioni Dukagjini kërkoi qëndrimin e Shahin Bushit, por ai zgjodhi të mos komentojë.
“Për t’i dhënë mundesinë të paraqes qëndrimin e tij lidhur me dyshimet që rëndojnë mbi të, ekipi i TV Dukagjinit trokiti në derën e shtëpisë se Shahin Bushit. Por, sapo kuptoi që jemi media, refuzoi të jepte çfarëdo deklarimi, mbylli derën dhe u largua pa dhënë asnjë koment”.
Ndonëse për media u tregua i mbyllur, Bushi më 24 korrik ishte paraqitur në stacionin policor në Prizren, ku dorëzoi një ankesë ndaj Esat Shalës, duke pretenduar se ndihet i kanosur nga deklaratat publike që, sipas tij, ishin bërë pa fakte.
Pas kësaj ankese, Policia e Prizrenit e intervistoi Shalën në cilësinë e të dyshuarit dhe hapi rast për këtë çështje.
Ndërkohë, në Krushë të Madhe, fshatin që përmendet në pretendimet e Shalës, emri Shahin Bush nuk u rezulton shumë i njohur për banorët.
Në emër të tyre foli, Xhelal Zeqiri, i cili thotë se nuk u besojnë deklaratave të Shalës.
“Dashta me dëshmu se si banorë të Krushës së Madhe, e kemi përjetu një dhimbje të jashtëzakonshme gjatë luftës, dhe nuk i besojmë individëve, që kanë dalë tulifar njeri dhe po na akuzojnë, ne i besojmë institucioneve, dhe e kemi lënë në dorë të tyre”, tha Zeqiri.
Megjithatë, Shala insiston se disponon prova, që sipas tij, e lidhin Shahin Bushin me grupin e udhëhequr nga krimineli serb.
“Normal na i kemi të gjitha faktet, i kemi videot para masakrës, i kemi edhe videot pasi që ka qëndru ai grup dy muaj në atë shtëpi. Nga ajo shtëpi, në mur shifen disa emra. Kemi dëshmi të mjaftueshme, kemi dëshmitarë, hetuesia i ka dëshmitë që ky ka qenë pjesëmrrës I gjenocidit serb në atë kohë. Kemi punu, unë me Besnik Krasniqin, kemi punu edhe me disa hetues të shtetit”, u shpreh Shala.
Njerëzit me të cilët Shala thotë se ka bashkëpunuar, sipas kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj, nuk janë të besueshëm.
“Ne mund të konstatojmë se këto janë veprime të paautorizuara, jo korrekte, dhe me u bazu në fjalë të Besnik Krasniqit, një person me kredibilitet zero”, u shpreh Totaj.
Për krejt këtë situatë, Prokuroria Speciale për Dukagjinin nuk konfirmoi e as nuk mohoi nëse ndaj Shahin Bushit është zhvilluar ndonjë procedurë hetimore.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke e trajtuar me kujdes video-incizimin e publikuar në një nga mediat në Kosovë, si dhe pretendimet publike që janë ngritur në lidhje me të. Veprimet paraprake verifikuese të ndërmarra deri më tani nuk kanë bërë të mundur vërtetimin e origjinës së video-incizimit, lokacionit ku është realizuar ai, si dhe identitetit të personave që shfaqen në të”.
PSRK tha se në këtë pikë nuk mund të jap detaje nëse ndonjë person është intervistuar, si dhe nuk dha informacione mbi kallëzimet penale, informacionet apo referimet e pranuara, për aq kohë sa publikimi i tyre mund të cenojë integritetin e procedurës.
