Angazhimet për të drejtat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, e sjellin Shaip Kamberin shpesh në Prishtinë.

Ai është optimist se në këtë drejtim do të bëhen disa përparime të rëndësishme, derisa flet pak para se në Bruksel, të nisë takimi i nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“Ridefinimi apo definimi i raporteve mes dy shteteve në kuadër të së cilit secili duhet të marrë obligime mes tjerash edhe për trajtimin reciprok dhe të njëjtë të pakicave. Parimet të cilat i përmbanë marrëveshja e dakorduar në Ohër, besoj janë një mundësi që Lugina e Preshevës, shqiptarët atje, t’i shfrytëzojnë për avancimin e pozitës së vet”, ka deklaruar Kamberi.

Kohëve të fundit, takimet me ndërkombëtarët, Kamberi i ka pasur të shpeshta, e disa të tilla do t’i ketë edhe gjatë javës së ardhshme, nga të cilat pret që Serbisë t’i shtohet presioni.

“Ajo që duhet është një shtytje më e madhe, një angazhim dhe një prezencë më e madhe e bashkësisë ndërkombëtare në Luginë të Preshevës dhe të them një trysni apo një inkurajim i Beogradit që të bëj hapa pozitiv në drejtim të shqitparëve”, ka deklaruar ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuqiq, vazhdimisht në deklarime publike ka shfaqur kundërshtime e ka përsëritur se nuk do të zbatojnë pika të caktuara të ujdive nga dialogu.

Mirëpo, e gjitha kjo, deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, beson se është vetëm një lojë e Vuqiqit.

“Me një retorikë të ashpërsuar, me fyerje të drejtpërdrejta ndaj ambasave të QUINT-it. Mirëpo, unë besoj se e gjithë kjo është në kuadër të një skenari në kuadër të cilit Vuciq po ecë në drejtim të nënshkrimit të marrëveshjes me Kosovën, por duke i ruajtur pozicionet e veta karshi elektoratit të vet radikal që e ka”, ka thënë Kamberi.

Kryeministri Albin Kurti, në disa raste ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së shqiptarëve të Luginës në dialogun me Serbinë, për çka edhe në shtator të vitit të kalaur, kishte emëruar Ardita Sinanin si këshilltare politike për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, me synim themelimin e një zyreje për këto tri komuna që do ta koordinonte Sinani.