Ish-producentja e RTK-së, Linda Shala ka kujtuar kohën kur së bashku me Lekë Zhegrën kishin emisionin “Ritme rinore” e për shkak të të cilit, nuk kishin marrë asnjëherë pagën e plotë.

E ftuar në “Personale” të RTV Dukagjini, Shala thotë se duke pasur parasysh kohën kur ishte realizuar emisioni, ndryshimet paraqitnin ndrojtje tek ata që nuk ishin mësuar ta shihnin rregullisht.

“Për shumë vite kam udhëhequr emisionin “Ritme rinore”, sot në radio është një emision që e ka emrin ‘Ritme rinore’. Sa herë e dëgjoj kthehna bashkë me Lekë Zhegrën, i cili tashmë është i ndjerë, e kemi bërë një emision goxha avangar për atë kohë. Për të gjithë ato kohë që e kemi bërë emisionin ‘Ritme rinore’ kurrë nuk e kemi marrë rrogën e plotë, sepse ka qenë kohërat e atëhershme dhe ka qenë emisioni goxha avangar edhe në mbledhje na dënojshin”, ka treguar Shala.

Se për çfarë dënoheshin, arsyet fillojnë nga paraqitja televizive. Si rrjedhojë, Shala tregon se dënoheshin me 20 për qind më pak të pagës.

“Pse kemi dalë me syza para kamerës, pse jemi ulur këmbëkryq para shkallëve të komitetit, pse ia kemi kthyer shpinën kamerës. E pata bërë një storje prej Mitrovicës e e pata vendos gazmaskën se qyteti ma i ndotur, tash pse e kam vendos atë maskë…domethënë kështu kanë qenë kohërat. Lëvizjet avangarde në gazetari janë marrë shumë me ndrojtje dhe besom kurrë s’e kemi marrë rrogën e plotë. Na dënojshin për 20 për qind po na vazhdojshim”, ka treguar ajo.