Shala i PDK-së kritikon qeverinë për krizën ekonomike
Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka kritikuar qeverinë në detyrë për përkeqësimin e gjendjes ekonomike në vend. Sipas tij, gjendja mbetet alarmante e për të, nuk kanë qenë ndihmesë politikat ekonomike e as ato sociale të bëra nga qeveria në detyrë. “Nuk ka pasur asnjë ndryshim në sistemin e pagesave. […]
Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka kritikuar qeverinë në detyrë për përkeqësimin e gjendjes ekonomike në vend.
Sipas tij, gjendja mbetet alarmante e për të, nuk kanë qenë ndihmesë politikat ekonomike e as ato sociale të bëra nga qeveria në detyrë.
“Nuk ka pasur asnjë ndryshim në sistemin e pagesave. Investimet kapitale, si të brendshme ashtu edhe të jashtme, janë në rënie. Ndërkohë, inflacioni ka arritur deri në 4%, duke e bërë shportën e konsumatorit më të kushtueshme dhe jetën më të vështirë për qytetarët,” deklaroi Shala për EO.
Ai theksoi se Kosova po shndërrohet në një vend me varësi të madhe nga importi, ndërsa prodhuesit vendorë po përballen me çmime të papërballueshme të energjisë.
“Është rritur si kurrë më parë mbi 100 për qind në pesëmujorin e parë të këtij viti çështja e importeve dhe fatkeqësisht shpeshherë me tendencë të rritjes nga shtetet jo mike siç është Serbia. Pra, nuk kemi qartësi për të ardhmen, as ekonomike, sociale e as politike. Nuk ka vende të reja të punës. Përkundrazi, të rinjtë po largohen si asnjëherë më parë drejt vendeve evropiane, sepse prodhimi vendor është i rrezikuar për faktin që muajve të fundit është goditur shumë, tre herë brenda mandatit të qeverisë, por tashmë së fundmi me liberalizimin për daljen në treg të energjisë. Kjo ka ndikuar direkt në shkurtimin e vendeve të punës, kështu është situatë e paqartë ekonomike, sepse nuk ka mundësi që prodhuesit vendorë t’i përballojnë çmimet e shumëfishuara të furnizimit me energji nga importet. Tashmë prodhimi energjetik vendor është në pikën më të ulët që ka ndodhur ndonjëherë”, potencoi ai.
Shala tha se shqetësimet për mungesën e një politike të qartë ekonomike janë ngritur vazhdimisht, por qeveria ka dështuar të ndërmarrë hapa konkretë.
“Nuk ka politikë të mirëfilltë. Kjo qeveri ka një paketë sociale që kohë pas kohe në fushata elektorale shpërndan. Tashmë kemi harxhuar buxhetin krejtësisht në mënyrë të pakontrolluar dhe në linja krejtësisht të dyshimta. Nuk kemi rivitalizuar sektorin e energjisë, kemi sjellë para falimentimit sektorin e prodhimit vendor në industri, kemi falimentuar krejtësisht linjat e prodhuesve të materialeve të ndërtimit. Ndërsa, kemi rritur importet”, shtoi deputeti.
Në fund, deputeti i PDK-së ngriti shqetësime për afera të rënda korruptive dhe mungesë të plotë të transparencës dhe llogaridhënies.
“Tenderët njëburimorë, afera të shumta në nivelet më të larta të qeverisë dhe mungesa e rezervave shtetërore janë dëshmi e qartë e dështimit. Shteti është pa prodhim energjetik vendor dhe pa kontroll në sektorët kryesorë,” përfundoi Shala.















