Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka deklaruar se do të mbajë në fuqi bllokadën detare në Ngushticën e Hormuzit për aq kohë sa të jetë e nevojshme, duke theksuar se operacioni do të vazhdojë në bazë të vendimeve të presidentit amerikan.
Sipas komandantit të Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), admirali Bradley Cooper, SHBA-ja ka kapacitetet për të monitoruar çdo lëvizje në portet iraniane dhe për të mbajtur nën kontroll situatën në zonë, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.
“Ne kemi sy mbi çdo port iranian,” tha ai, duke përmendur përdorimin e dronëve MQ-9 dhe avionëve patrullues detarë P-8 për mbikëqyrje ajrore dhe detare.
Ai shtoi se deri më tani nuk është sulmuar asnjë anije amerikane që nga fillimi i operacionit, ndërsa disa tentativa për të thyer bllokadën janë ndalur pas paralajmërimeve të forcave amerikane.
Sipas tij, operacionet e deminimit po vazhdojnë, ndërsa niveli i minave të vendosura në ngushticë mbetet “brenda kapaciteteve për t’u trajtuar” nga ushtria amerikane.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar në rrjete sociale se Irani ka pranuar rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, por ka theksuar se bllokada detare ndaj Iranit do të mbetet në fuqi deri në finalizimin e plotë të marrëveshjes mes palëve.