Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, i ka shprehur shqetësimet e ShBA-së për rregulloren e BQK-së.

Ajo tha se vendimi është marrë duke mos e pasur përgatitjen e duhur dhe duke mos diskutuar me popullatën lokale serbe.

“Vendimi është marrë pa përgatitjen e duhur apo konsultime me popullatën lokale. Ne edhe një herë kërkojmë që zbatimi i rregullores të pezullohet derisa të ndërmerren të gjitha procedurat në linjë me standardet evropiane dhe praktikat e qeverisjes së mirë, dhe që popullata e prekur të informohet mirë për procesin”, tha ajo.

Edhe Britania e Madhe i shprehi shqetësimet e saj se si do të ndikojë ndalimi i dinarit serb në popullatën serbe lokale në Kosovë.

“Së pari Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë zotimet e tyre dhe të shmangin veprimet e njëanshme. Së dyti, Kosova duhet të ushtrojë pushtetin e vet sovran në përputhje me vizionin e demokracisë shumëetnike që është ngulitur mu në zemër të Kushtetutës së Kosovës. Sa i përket veprimeve të fundit, BQK-ja ka kërkuar që të zbatojë përgjegjësitë e veta për rregullimin e valutave të huaja, por që implementimi i këtyre masave nga Qeveria e Kosovës ka treguar vëmendje të paktë për sa i përket ndikimit në komunitetit serb. Autoritetet e Kosovës duhet të ndërtojnë një plan të qartë që të gjithë serbët e Kosovës të vazhdojnë të marrin të ardhura dhe që shërbimet themelore të vazhdojnë të funksionojnë derisa të gjendet një zgjidhje e gjithanshme”, ka thënë përfaqësuesi i Britanisë së Madhe.

Gjithashtu edhe Franca kërkoi një periudhe tranzitore sa i përket ndalimit të dinarit serb, derisa bëri thirrje që Kosova e Serbia të përmbahen nga veprimet që sjellin tensione.

“Kosova dhe Serbia të përmbahen nga cildo veprim që mund të nxisë tensione. Franca dhe BE kanë shprehur brengën sa i përket veprimeve nga BQK dhe operacionet policore që kanë çuar në mbylljen e institucioneve paralaele serbe në lindje dhe perëndim të Kosovës, kjo do të ketë pasoja negative të serbëve në Kosovë”

“Franca rithekson thirrjen e saj për pezullimin e këtij vendimi nga BQK që të mundësohet një periudhë e tranzicionin. Deklaratat e Kurtit që e theksoj se periudha e tranzicionit është e nevojshme dhe kjo duhet të reflektohet në veprime”, tha përfaqësuesi i Francës.