ShBA dhe BE pas kërcënimit të dy prokurorëve pas dëshmive të Tafanit: Autoritetet shqiptare të hetojnë
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës(ShBA) në Tiranë ka reaguar në lidhje me kërcënimet ndaj drejtësisë, duke iu referuar dëshmive të të penduarit Artan Tafani, i cili dëshmoi se grupi i Laert Haxhiut do të vriste dy prokurore. ShBA rithekson se mbështesin zyrtarët e zbatimit të ligjit. “Një sistem drejtësie që funksionon pa frikë […]
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës(ShBA) në Tiranë ka reaguar në lidhje me kërcënimet ndaj drejtësisë, duke iu referuar dëshmive të të penduarit Artan Tafani, i cili dëshmoi se grupi i Laert Haxhiut do të vriste dy prokurore.
ShBA rithekson se mbështesin zyrtarët e zbatimit të ligjit.
“Një sistem drejtësie që funksionon pa frikë dhe kërcënime është kërkesë legjitime e popullit shqiptar dhe Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara për kërcënimet për dhunë ndaj zyrtarëve të zbatimit të ligjit që po punojnë për ta bërë Shqipërinë të sigurt, të begatë dhe më demokratike”.
“Hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë në gjendje të kryejnë detyrat e tyre pa kërcenime apo kanosje. Shtetet e Bashkuara ritheksojnë mbështetjen e tyre të palëkundur për zyrtarët e zbatimit të ligjit në Shqipëri, të cilët po luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar me guxim, si dhe janë gati të mbështesin përpjekjet e tyre, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Gjithashtu lidhur me rastin, ka reaguar edhe vet Bashkimi Evropian(BE).
“Delegacioni i BE-së në Shqipëri është thellësisht i shqetësuar për kërcënimet e bëra ndaj autoriteteve të drejtësisë që punojnë çdo ditë në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri. Ne mirëpresim angazhimin e autoriteteve shqiptare për të hetuar me shpejtësi këto kërcënime dhe për të mbajtur përgjegjës autorët”.
Më tej, BE “mbështet plotësisht të gjithë zyrtarët që punojnë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri, dënon çdo formë sjelljeje kërcënuese ndaj tyre dhe vazhdon të mbështesë vendin në përpjekjet e tij për forcimin e shtetit të së drejtës”, thuhet në reagimin e BE-së.















