ShBA dhe G7 do të vendosin sanksione të reja ndaj Rusisë
Qeveria amerikane do të shpallë sanksione të reja “gjithëpërfshirëse” kundër Rusisë të premten, në përvjetorin e parë të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës. Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, do të takohet virtualisht të premten me liderët e G7 dhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, për të shënuar njëvjetorin e pushtimit rus të Ukrainës dhe […]
Qeveria amerikane do të shpallë sanksione të reja “gjithëpërfshirëse” kundër Rusisë të premten, në përvjetorin e parë të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës.
Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, do të takohet virtualisht të premten me liderët e G7 dhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, për të shënuar njëvjetorin e pushtimit rus të Ukrainës dhe për të shpallur sanksione të reja kundër atyre që ndihmojnë përpjekjet e Rusisë për luftë, kështu ka njoftuar Shtëpia e Bardhë, raporton Reuters.
I njëjti grup u bashkua vitin e kaluar, disa orë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, filloi pushtimin e tij në Ukrainë, duke vendosur raundin e parë të një sërë sanksionesh.
Sekretarja e shtypit e presidentit Biden, Karine Jean-Pierre, ka thënë se G7 është bërë “një spirancë e përgjigjes sonë të fortë dhe të bashkuar ndaj Rusisë”.
Udhëheqësit të premten do të diskutojnë “si ne vazhdojmë të mbështesim Ukrainën” dhe mënyrat për të rritur presionin ndaj Rusisë për pushtimin e saj të Ukrainës një vit më parë, ka njoftuar ajo.
Sipas Jean-Pierre, sanksionet do t’i përfshijnë bankat ruse, sektorët e teknologjisë dhe mbrojtjes, dhe do të ndikojnë si te njerëzit ashtu edhe te kompanitë e përfshira në konflikt.
Gjithashtu, ajo ka thënë se ShBA-ja do të shpallë një paketë të re ndihme ukrainase që do të përfshijë mbështetje ekonomike, të sigurisë dhe energjisë.















