SHBA drejt lirimit të fondeve iraniane të ngrira në Katar
Një burim i lartë iranian tha të shtunën se Shtetet e Bashkuara kishin rënë dakord të lirojnë asetet e ngrira iraniane të mbajtura në Katar dhe banka të tjera të huaja, duke e cilësuar këtë hap si shenjë “serioziteti” për arritjen e një marrëveshjeje me Uashingtonin në bisedimet që po zhvillohen në Islamabad. Burimi, i […]
Një burim i lartë iranian tha të shtunën se Shtetet e Bashkuara kishin rënë dakord të lirojnë asetet e ngrira iraniane të mbajtura në Katar dhe banka të tjera të huaja, duke e cilësuar këtë hap si shenjë “serioziteti” për arritjen e një marrëveshjeje me Uashingtonin në bisedimet që po zhvillohen në Islamabad.
Burimi, i cili nuk pranoi të identifikohej për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, i tha Reuters se zhbllokimi i aseteve ishte “drejtpërdrejt i lidhur me sigurimin e kalimit të sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit”, e cila pritet të jetë një çështje kyçe në këto bisedime.
Burimi i lartë nuk dha një vlerë për asetet që Uashingtoni ka rënë dakord të zhbllokojë teksa një burim i dytë iranian tha se Shtetet e Bashkuara kanë pranuar të lirojnë 6 miliardë dollarë fonde të ngrira iraniane të mbajtura në Katar.
Nuk pati një reagim të menjëhershëm nga Shtetet e Bashkuara lidhur me këtë çështje. Ministria e Jashtme e Katarit gjithashtu nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.
Shuma prej 6 miliardë dollarësh, e ngrirë fillimisht në vitin 2018, ishte planifikuar të lirohej në vitin 2023 si pjesë e një marrëveshjeje për shkëmbimin e të burgosurve mes SHBA-së dhe Iranit, por fondet u ngrinë sërish nga administrata e presidentit Joe Biden pas sulmeve të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit nga aleati i Iranit, grupi militant palestinez Hamas.
Zyrtarët amerikanë kishin deklaruar në atë kohë se Irani nuk do të kishte qasje në këto para për një periudhë të pacaktuar, duke theksuar se Uashingtoni ruante të drejtën për t’i ngrirë plotësisht fondet.
Këto fonde rrjedhin nga shitjet e naftës iraniane në Korenë e Jugut dhe ishin bllokuar në bankat koreano-jugore pasi presidenti Donald Trump rivendosi sanksionet ndaj Iranit në vitin 2018, gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, duke u tërhequr nga marrëveshja bërthamore mes fuqive botërore dhe Teheranit.
Sipas marrëveshjes për shkëmbimin e të burgosurve në shtator 2023, të ndërmjetësuar nga Doha, paratë u transferuan në llogari bankare në Katar. Marrëveshja përfshinte lirimin e pesë shtetasve amerikanë të ndaluar në Iran në këmbim të lirimit të fondeve dhe të pesë iranianëve të mbajtur në Shtetet e Bashkuara.
Zyrtarët amerikanë kishin bërë të ditur në atë kohë se këto para mund të përdoreshin vetëm për qëllime humanitare, si furnizimi me ushqime, ilaçe, pajisje mjekësore dhe produkte bujqësore për Iranin, nën mbikëqyrjen e Thesarit të SHBA-së.















