Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të enjten kanë futur në listën e zezë disa persona nga Ballkani Perëndimor, për lidhje me ndikimin e dëmshëm rus në rajon dhe korrupsion.

Në këtë njoftim, theksohet se Misha Vaçiq, një politikan serb, është sanksionuar nga Departamenti i Shtetit për pjesëmarrjen në referendumet e paligjshme të aneksimit të organizuar nga Kremlini në territoret e okupuara nga Rusia në Ukrainë në shtator 2022.

Gjithashtu, Nenad Popoviq, një ish-funksionar i Qeverisë serbe, është përfshirë në listën e emërimeve, duke pasuar lidhje të ngushta me Kremlinin dhe përdorur rrjetin e tij për shpërndarje të padrejtësive për të ndërtuar pasurinë personale.

Në anën tjetër, Departamenti i Thesarit ka vënë sanksione ndaj tetë individëve në Bosnjë dhe Hercegovinë (BiH), Mal të Zi dhe Maqedoni Veriore, të cilët drejtpërdrejt lehtësojnë ndikimin rus ose përfitojnë nga aktivitetet e tyre të korrupsionit të ndikuar nga Rusia.

Këta persona janë: Savo Cvijetinoviq, Petar Gjokiq dhe Dushko Peroviq nga Bosnja e Hercegovina; Miodrag Davidoviq dhe Branisllav Miqunoviq nga Mali i Zi; Ratka Kunoska Kamceva, Irina Samsonenko dhe Sergey Samsonenko nga Maqedonia e Veriut.

Këta individë siç thuhet në njoftim, po ashtu pengojnë reforma të rëndësishme dhe përparim në drejtim të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Një ministër i Republikës Sërpska dhe shefi i Përfaqësisë së RS-së në Moskë

Petar Gjokiq është ministër i Energjisë dhe Minierave në Qeverinë e Republikës Sërpska (RS) dhe president i Partisë Socialiste atje.

Që nga viti 2010, ai ka mbajtur poste të ndryshme ministrore në qeverinë e këtij entiteti të Bosnje e Hercegovinës.

Në fillim të nëntorit në Beograd, me rastin e festimit të festës ruse, Ditës së Bashkimit Kombëtar, atij iu dha një çmim për shërbimet e tij “në forcimin e miqësisë midis RS-së dhe Rusisë”.

Dushko Peroviq është kreu i Përfaqësisë së RS-së në Moskë. Ai është kryesisht i pranishëm gjatë vizitës së presidentit të RS-së, Millorad Dodik, në kryeqytetin e Rusisë dhe takimeve të tij me liderin rus, Vladimir Putin.

Savo Cvijetinoviq, i njohur me pseudonimin “Tigri”, është biznesmen nga Bijelina, në verilindje të Bosnje- Hercegovinës. Ai është themelues dhe drejtor i kompanisë “Inženjering-BN”, e cila gjithashtu u vendos në listën e sanksioneve amerikane.

Cvijetinoviq është edhe kryetar i komunitetit serbo-rus “Zavet”. Gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë, ai ishte kreu i Njësive Speciale të Policisë së RS-së.

Kryetari i Partisë Popullore Serbe

Nenad Popoviq, politikan nga Serbia, i afërt me autoritetet ruse, është kryetar i Partisë Popullore Serbe – partnere koalicioni e Partisë Progresive Serbe në pushtet.

Në mbledhjen e fundit të Parlamentit të Serbisë, të shpërndarë para zgjedhjeve që do të mbaheshin më 17 dhjetor, ai ishte deputet i shumicës qeverisëse.

Nga viti 2017 deri në vitin 2022 ka qenë ministër pa portofol në Qeverinë e Serbisë. Partia e Popoviqit bashkëpunon me Rusinë e Bashkuar, partinë e presidentit rus Putin, me të cilën, ka nënshkruar disa marrëveshje ndërpartiake.

Si ministër dhe deputet, Popoviq pati takime të shumta me zyrtarë rusë në Serbi dhe Rusi dhe që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, ai avokoi që Serbia të mos vendoste sanksione ndaj Rusisë.

Biznesmeni i akuzuar për vrasje

Branislav Brano Miqunoviq nga Nikshiqi prej vitesh është i lidhur me biznesin e ndërtimit dhe lojërave të fatit në Mal të Zi, si dhe me kompanitë “Jack Pot” dhe “Zeta Film”.

Pranë Qytetit të Vjetër në Budvë, në vendin e ish-ndërtesës së “Zeta Film”, kompania e Miqunoviqit po ndërton me partnerë të huaj një hotel dymbëdhjetëkatësh me kazino.

Miqunoviq njihet si mik i ish-presidentit malazias, Millo Gjukanoviq. Ai u akuzua për vrasjen e Radovan Kovaçeviqit nga Nikshiqi në tetor të vitit 2000, por në vitin 2007 u shpall i pafajshëm, sepse përkundër disa personave të pranishëm gjatë vrasjes, askush nuk e identifikoi Miqunoviqin si personin që qëlloi me armë zjarri.

Miqunoviq ishte gjithashtu një nga të pandehurit në Bari të Italisë për kontrabandë cigaresh gjatë viteve 1990, por në vitin 2019, kolegji i Gjykatës në Bari e pezulloi procedurën kundër tij për shkak të parashkrimit.

Çështja e duhanit u hap në Mal të Zi në vitin 2001, pasi në Bari filloi një hetim për kontrabandën e cigareve nga Mali i Zi në Itali, në fillim të viteve nëntëdhjetë.

Në hetim janë përfshirë rreth pesëmbëdhjetë persona nga Mali i Zi dhe Italia, mes të cilëve, edhe Gjukanoviq. Të gjithë u shpallën të pafajshëm më vonë. / REL