Forcat amerikane kanë goditur tri cisterna nafte të lidhura me Iranin, në kundërpërgjigje ndaj sulmeve me raketa balistike që kishin në shënjestër dy anije luftarake të SHBA-së në rajon.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se dy prej cisternave u nxorën përgjithmonë jashtë funksionit. Njëra ndodhej pranë ishullit iranian Kharg, ndërsa tjetra pranë Ngushticës së Hormuzit. Një cisternë e tretë, e pozicionuar në Gjirin e Omanit, sipas CENTCOM-it, u shkatërrua plotësisht.
Anijet e goditura janë identifikuar si “Downy”, “Stark 1” dhe “Kylo”.
CENTCOM bëri të ditur gjithashtu se forcat amerikane zmbrapsën disa sulme të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, të drejtuara ndaj një aeroplanmbajtëseje amerikane dhe një shkatërruesi të pajisur me raketa. Nuk raportohet për ushtarë amerikanë të lënduar.
Komandanti i CENTCOM-it, admirali Brad Cooper, paralajmëroi se sulmet ndaj forcave amerikane do të përballen me një kosto edhe më të madhe ekonomike për Iranin. Ai theksoi se SHBA-ja është e gatshme të mbrojë forcat e saj dhe, nëse është e nevojshme, të godasë më tej flotën iraniane të cisternave të naftës.
Edhe mediat shtetërore iraniane kanë konfirmuar se një cisternë iraniane është goditur nga raketat amerikane pranë ishullit Kharg.
Goditjet vijnë rreth një javë pas rifillimit të përleshjeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, pas një periudhe prej rreth një muaji me tensione relativisht më të ulëta.