ShBA-ja akuzon Rusinë për krime kundër njerëzimit në Ukrainë
Zëvendëspresidentja e ShBA-së, Kamala Harris, ka akuzuar të shtunën Rusinë për kryerjen e “krimeve kundër njerëzimit” në Ukrainë, duke thënë se forcat e Moskës kishin kryer sulme “të përhapura dhe sistematike” ndaj popullatës civile të vendit. Këtë deklaratë ajo e bëri në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, disa ditë përpara përvjetorit të një viti të […]
Zëvendëspresidentja e ShBA-së, Kamala Harris, ka akuzuar të shtunën Rusinë për kryerjen e “krimeve kundër njerëzimit” në Ukrainë, duke thënë se forcat e Moskës kishin kryer sulme “të përhapura dhe sistematike” ndaj popullatës civile të vendit.
Këtë deklaratë ajo e bëri në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, disa ditë përpara përvjetorit të një viti të dërgimit të forcave ruse nga Moska në Ukrainë, duke nisur luftën në Evropë për herë të parë në dekada.
“Në rastin e veprimeve të Rusisë në Ukrainë, ne kemi shqyrtuar provat, ne i njohim standardet ligjore dhe nuk ka dyshim: këto janë krime kundër njerëzimit,” ka deklaruar Harris, drejtuar liderëve botërorë në tubim.
“Dhe unë u them të gjithë atyre që kanë kryer këto krime dhe eprorëve të tyre që janë bashkëpunëtorë në ato krime, ju do të mbani përgjegjësi”, ka thënë tutje ajo.
Është hera e parë që Shtetet e Bashkuara i kanë cilësuar zyrtarisht veprimet e Rusisë në Ukrainë si krime kundër njerëzimit.
“Veprimet e tyre janë një sulm ndaj vlerave tona të përbashkëta dhe njerëzimit tonë të përbashkët. Forcat ruse kanë ndjekur një sulm të gjerë dhe sistematik kundër një popullsie civile”, ka shtuar Harris.
Ajo renditi një sërë abuzimesh që ajo tha se ishin kryer nga forcat e Moskës në Ukrainë — “akte të tmerrshme vrasjesh, torturash, përdhunimesh dhe deportimesh, vrasje të stilit të ekzekutimit, rrahje dhe goditje elektrike”.
Komisioni Hetimor i OKB-së për Ukrainën nuk ka arritur ende në përfundimin se krimet e luftës janë “krime kundër njerëzimit”, raporton The Guardian.
Në fjalët e saj, Harris përmendi si “barbare dhe çnjerëzore” numrin e viktimave të gjetura në qytetin Bucha menjëherë pas pushtimit të Rusisë shkurtin e kaluar; bombardimi i 9 marsit në një maternitet në Mariupol, që vrau tre persona, duke përfshirë një fëmijë; dhe sulmi seksual i një 4-vjeçari nga një ushtar rus që u identifikua nga raporti i OKB-së.
Gjithashtu, Harris përshëndeti suksesin e Ukrainës në përballjen e pushtimit të Rusisë.
“Kiev është ende në këmbë, Rusia është dobësuar, aleanca transatlantike është më e fortë se kurrë dhe, më e rëndësishmja, shpirti i popullit ukrainas vazhdon”, ka shtuar ajo.
Në konferencën triditore marrin pjesë liderë botërorë, duke përfshirë ata nga Franca dhe Gjermania, dhe kryediplomati kinez Wang Yi.















