Delegacionet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani kanë mbërritur në Doha për të zhvilluar bisedime teknike mbi zbatimin e memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar ndërmjet dy palëve.
Siç shkruan CNN, këto bisedime ndryshojnë nga ato që u mbajtën më herët këtë muaj në Zvicër, ku delegacione të nivelit të lartë nga Irani dhe SHBA-ja u takuan ballë për ballë pas dyerve të mbyllura, transmeton Dukagjini.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, deklaroi të martën se bisedimet teknike nuk zhvillohen në nivel të lartë politik.
Takimi në Zvicër u udhëhoq nga zëvendëspresidenti amerikan JD Vance dhe kryenegociatori iranian Mohammad Bagher Ghalibaf.
Ndërkaq, bisedimet që po zhvillohen të martën në Doha janë në një nivel më të ulët dhe udhëhiqen nga i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi. Delegacionet nuk do të takohen drejtpërdrejt, por negociatat do të ndërmjetësohen nga zyrtarë të Katarit.
Sipas al-Ansarit, qëllimi i këtyre bisedimeve teknike është të hartohen dokumente që më pas do të shndërrohen në parime për t’u shqyrtuar dhe miratuar në takimet e nivelit të lartë.
Temat kryesore që pritet të diskutohen përfshijnë:
- Kufizimet financiare dhe heqjen e sanksioneve ndaj Iranit;
- Mënyrën e garantimit të lundrimit të lirë të anijeve në Ngushticën e Hormuzit;
- Të ardhmen e programit bërthamor të Iranit;
- Lirimin e mundshëm të aseteve të ngrira të Iranit;
- Sigurinë rajonale.