SHBA-ja dhe Irani shumë pranë marrëveshjes, por ende pa dakordim final

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani janë ende pranë arritjes së një marrëveshjeje, por disa çështje kyçe mbeten të pazgjidhura, ka deklaruar zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance.

I pyetur nga BBC nëse presidenti Donald Trump është afër nënshkrimit të një marrëveshjeje, Vance tha se është ende herët për të thënë “kur apo nëse” palët do ta finalizojnë atë.

Më herët gjatë së enjtes, zyrtarë amerikanë i thanë BBC-së se SHBA-ja dhe Irani kishin rënë dakord për një kornizë marrëveshjeje – të njohur si memorandum mirëkuptimi – në pritje të miratimit nga Trump dhe udhëheqja iraniane, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.

Sipas raportimeve, marrëveshja do të zgjasë armëpushimin për 60 ditë dhe do të hapë negociata për të ardhmen e programit bërthamor të Iranit. Megjithatë, agjencia gjysmëzyrtare iraniane Tasnim raportoi se marrëveshja ende nuk është finalizuar apo konfirmuar.

Raportet sugjerojnë se korniza e marrëveshjes mund të lejojë kalim “të pakufizuar” nëpër Ngushticën e Hormuzit dhe t’i japë Iranit 30 ditë kohë për të larguar minat nga kjo rrugë strategjike detare.

Po ashtu, SHBA-ja pritet të lehtësojë bllokadën dhe të japë përjashtime nga sanksionet për t’i mundësuar Iranit rifillimin e shitjes së naftës.

Duke folur për gazetarët në Uashington, Vance tha se negociatorët po diskutojnë ende për disa formulime, përfshirë çështjen e pasurimit të uraniumit.

“Nuk jemi ende aty, por jemi shumë afër dhe do të vazhdojmë të punojmë për këtë”, deklaroi ai.

SHBA-ja prej kohësh kërkon që Irani të ndalojë prodhimin e uraniumit të pasuruar në nivele të larta dhe të heqë dorë nga rezervat ekzistuese, të cilat teorikisht mund të përdoren për armë bërthamore.

Ndërkohë, Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor është plotësisht paqësor.

Të fundit nga rubrika