Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se Irani “nuk është serioz për bisedime”, ndërsa SHBA-ja dhe Irani kanë shkëmbyer sulme për natën e 11-të radhazi.
Deklarata e Rubios vjen pasi Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, raportoi para Kongresit se lufta kundër Iranit deri më tani i ka kushtuar Shteteve të Bashkuara rreth 37.5 miliardë dollarë, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.
Ai dhe shefi i Shtabit të Përbashkët, gjenerali Dan Caine, kërkuan fonde shtesë për vazhdimin e operacioneve ushtarake.
Rubio paralajmëroi gjithashtu se do të krijohej një “precedent i rrezikshëm” nëse Irani do të arrinte të kontrollonte Ngushticën e Hormuzit, një prej rrugëve më të rëndësishme detare për transportin global të naftës.
Ndërkohë, tensionet janë shtuar edhe në Detin e Kuq, pasi rebelët Huthi, të mbështetur nga Irani, kanë kërcënuar me bllokimin e anijeve të lidhura me Arabinë Saudite në Ngushticën Bab el-Mandeb.
Sipas kompanive të analizës së transportit detar, dy cisterna me naftë saudite kanë ndryshuar kurs pas këtyre kërcënimeve.
Ushtria amerikane njoftoi se ka përfunduar natën e 11-të të sulmeve ndaj objektivave në Iran. Mediat shtetërore iraniane raportuan aktivizimin e mbrojtjes ajrore në Teheran dhe shpërthime në disa qytete, ndërsa Teherani tha se ka nisur një kundërsulm në orët e para të së mërkurës. Kuvajti bëri të ditur se mbrojtja e tij ajrore ka ndërhyrë ndaj dronëve armiqësorë.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se SHBA-ja “shumë shpejt” do të godasë zonën e njohur si “Pickaxe Mountain”, një kompleks nëntokësor që besohet të jetë i lidhur me programin bërthamor iranian. Nga ana tjetër, Teherani paralajmëroi se çdo sulm ndaj objekteve të tij bërthamore do të konsiderohet zgjerim i luftës në rajon.
Po ashtu, Departamenti amerikan i Mbrojtjes konfirmoi se ushtari amerikan Sgt. Angel S. Rampersad, i cili ishte raportuar më herët si i zhdukur, besohet se është vrarë gjatë operacioneve në Jordani.