SHBA-ja e Rusia pajtohen për “të punuar drejt paqes në Ukrainë”
Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë nisur bisedimet për të adresuar tensionet mes dy vendeve dhe për të gjetur rrugë drejt përfundimit të luftës në Ukrainë. Departamenti Amerikan i Shtetit ka konfirmuar se takimi i mbajtur në Riad të Arabisë Saudite është vetëm një hap i parë dhe se procesi do të kërkojë kohë. Delegacionet […]
Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë nisur bisedimet për të adresuar tensionet mes dy vendeve dhe për të gjetur rrugë drejt përfundimit të luftës në Ukrainë.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka konfirmuar se takimi i mbajtur në Riad të Arabisë Saudite është vetëm një hap i parë dhe se procesi do të kërkojë kohë.
Delegacionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Rusisë janë pajtuar që të caktojnë ekipe të nivelit të lartë për bisedime për Ukrainën, që të punojnë për të gjetur një rrugë drejt fundit sa më të shpejtë të luftës, ka thënë zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Tammy Bruce.
“Palët në takimet e sotme zotohen të mbeten të angazhuara për t’u siguruar që procesi të ecë përpara në kohën e duhur dhe produktive. Një telefonatë e ndjekur nga një takim nuk mjafton për të vendosur paqen e qëndrueshme. Ne duhet të marrim masa dhe sot bëmë një hap të rëndësishëm përpara”, thuhet tutje nga njoftimi i DASH-it.
Rusia ka vlerësuar takimin si të suksesshëm.
Këshilltari i presidentit Putin, Yuri Ushakov, ka bërë të ditur se është arritur pajtueshmëri për kushtet e një takimi mes Vladimir Putinit dhe presidentit amerikan, Donald Trump. Megjithatë, nuk është caktuar ende një datë për këtë takim.
Delegacionet nga të dyja palët kanë rënë dakord të vazhdojnë kontaktet për të shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve, që mund të pasojnë pas përfundimit të luftës.
SHBA ka theksuar se takimi nuk ishte për negociata formale, por për të vlerësuar nëse Rusia është serioze në ndaljen e luftës.
Për momentin, të dyja palët kanë rënë dakord të formojnë ekipe negociatore për vazhdimin e dialogut.















